MENU
klinika

"Veliaj të mbajë premtimin, po paguajmë taksa"

Largimi i depozitave, banorët e Tiranës nuk përballojnë dot kostot

22.01.2020 - 19:57

Vendimi i Bashkisë Tiranë për largimin e depozitave nga tarracat e pallateve vlerësohet i vështirë e deri i pamundur nga shumë qytetarë të kryeqytetit.

Ky fakt ka irrituar banorët, që i kujtojnë krybashkiakut Erion Veliaj premtimin e fushatës zgjedhore, ujë 24 orë në ditë, në një kohë që sipas tyre, furnizohen me ujë vetëm një herë në ditë, me çmim shumë më të kripur se më parë, edhe pse vazhdon të jetë i pa pijshëm.

Të tjerë banorë thonë se është përgjegjësi direkte e bashkisë që të realizojë spostimin e depozitave dhe vendosjen e tyre në tokë, pasi ky veprim nëse bëhet nga vetë individët pa një leje bashkiake konsiderohet ndërtim pa leje, një vepër e dënueshme penalisht.

Por, vendosja e depozitave poshtë pallateve pa një dakordësi mes banorëve mund të çojë banorët drejt konflikt, për shkak se familjet e kateve të para do të duhet të durojnë zhurmën e pompave të ujit që hapen orë pa orë.

Ndërkohë, ka pallate që nuk kanë hapësira bosh rreth tyre dhe e vetmja mundësi, sipas banorëve, mbetet futja e depozitave nën tokë, investim që sipas tyre mund dhe duhet ta kryejë bashkia, e cila i ka kapacitetet dhe punonjësit.

Por në pallatet e vjetra të para ’90-ës jetojnë edhe shumë familje të varfra, që e kanë të pamundur të përballojnë kostot shtesë, që u ngarkon bashkia.

Krahas kostos së largimit të depozitës nga tarraca dhe instalimit të strukturës së re mbajtëse në tokë, çdo familjeje i duhet të shpenzojë me mijëra lekë për shtrimin e tubacionit të ri nga depozita në shtëpi, si dhe të blejë një pompë shtytëse me rele për dërgimin e ujit nga poshtë-lart, që minimalisht me gjithë instalimin kushton 150 mijë lekë.

Kjo barrë financiare e lartë është e papërballueshme për familjet që jetojnë me ndihmë ekonomike, me të cilën mezi shtyjnë muajin me bukë. Për rrjedhojë, familjet e varfra janë të dënuara të furnizohen me ujë vetëm përmes rrjetit një, dy apo tre herë në ditë, sipas zonës ku jetojnë, sa më larg qendrës aq më pak uji.