Fëmijët e fshatit Darëzezë së bashku me mësuesit sot kanë bojkotuar mësimin, ndërsa së bashku edhe me prindërit kanë protestuar në qendër të fshatit.
Arsyeja e protestës janë kushtet e udhëtimit me autobus nga Darëzeza në fshatin Topojë. Gjithsej janë 70 nxënës dhe mësues që udhëtojnë cdo ditë, por ata ankohen se nga dy autobusë që kanë qenë për transport, tani është vetëm një, i cili jo vetëm që nuk ka vend për të gjithë, por as ngrohje dhe mbi të gjitha ka probleme me frenat.
“Nuk ka kushte, rrimë në këmbë në autobus dhe është ftohtë, pasi nuk ka ngrohje” thonë nxënësit.
Ndërsa disa të tjerë ngrenë alarmin se autobusi me të cilin udhëtojnë cdo ditë ka defekt teknik, pasi ka probleme me sistemin e frenimit.
Përballë kësaj situate, ata kërkojnë përmirësimin e kushteve të transportit, por mbi të gjitha nisjen e rikonstruksionit të shkollës 9-vjeçare së tyre në Darëzezë.
Në fillim të këtij viti shkollor për shkak të dëmtimit të shkollës, institucionet arsimore rajonale në Fier vendosën që deri në rikonstruksionin e plotë të godinës fëmijët zhvendosen në Topojë.