Në pranverën e vitit 1917, Zyra e Jashtme e Britanisë së Madhe (Foreign Office) ndërmori një projekt të thelluar studimor për gjendjen në Ballkan.
Sektori i historisë në ‘Foreign Office’ përgatiti informacione praktike që do t’u shërbenin delegatëve britanikë në Konferencën e Paqes.
‘Historia e Çështjes Lindore’ i kushtoi një rëndësi të madhe edhe gjendjes së shqiptarëve në Ballkan, veçanarisht faktit që gjysma e popullatës mbeti jashtë kufijve të shtetit të ri shqiptar.
Portali Konica.al sjell ekskluzivisht disa pasazhe nga ky libër:
Shqiptarët e aneksuar në Mal të Zi
(1) Në Mal të Zi ka ende shqiptarë në numra të konsiderueshëm (a) në qytetet dhe viset e Ulqinit dhe Tivarit (të aneksuar në 1878-80) në bregdet, në brendësi – në qytetet dhe viset e Podgoricës (e aneksuar më 1878), Shpuzës dhe Zhablakut në luginën e Moraçës dhe degën e lumit Zeta, kurse fiset e Kuçit (të aneksuar më 1880) dhe Grudës e Hotit (të aneksuar më 1913), si dhe qytetet dhe viset e Gucisë, Plavës, Pejës dhe Gjakovës (të aneksuara më 1913) janë krejtësisht shqiptare. Për më tepër fisi Triepshi, i aneksuar më 1880, edhe pse me origjinë gjysmë malazez dhe gjysmë shqiptar, është tërësisht shqiptar në ndjenja.
Shqiptarët e aneksuar në Serbi
(2) Në Serbi ka vendbanime të konsiderueshme të shqiptarëve përreth qyteteve të Pazarit të Ri, Mitrovicës, dhe Prishtinës, dhe gjithashtu në rrafshin e Kosovës dhe në bazenin e epërm të Moravës deri në Kurshumli dhe Prokuple në veri….
Shqiptarët e Maqedonisë të aneksuar nga Serbia:
(3) Vendbanime të hapërdara të shqiptarëve gjendjen në ujërat e epërm të Vardarit në Kalkandelen (ose Tetovë), rrotull Shkupit, dhe në Qyprili (ose Veles), dhe prapë në veri dhe lindje të Shkupit në afërsi të Kumanovës, si dhe më në lindje, në Kratovë.
Rrethet e Lumës dhe Dibrës janë kryesisht shqiptare, dhe tri pjesët e Ohrit janë shqiptare dhe vetëm një pjesë bullgare.
Disa katunde shqiptare paraqiten në jug të Manastirit – ka shumë shqiptarë brenda qytetit, midis komuniteteve serbe, bullgare, vllehe dhe turke, si dhe gjithashtu në veri të Manastirit deri në Prilep.
Shqiptarët e Epirit të aneksuar nga Greqia:
(4) Në viset e sapo aneksuara (1913) nuk janë pak shqiptarë në rajonin e Maqedonisë; dhe në Epir, në perëndim të Kallamasit, shumica e popullatës është me prejardhje shqiptare deri poshtë në Pargë; edhe pse shumica e banorëve flasin greqisht apo janë dygjuhësh, kurse gratë flasin vetëm shqip. konica.al/