MENU
klinika

"Gati gjysmë milion..."

Policia e pamëshirshme me shkelësit e ligjit

25.01.2020 - 12:52

Policia e Kosovës mesatarisht në ditë shqipton rreth 1200 tiketa për shoferët e automjeteve që shkelin rregullat e komunikacionit.

Sipas statistikave për sigurinë në trafikut rrugor të Policisë së Kosovës, gjatë vitit 2019 janë shqiptuar gjithsej 445 mijë e 776 tiketa trafiku. Në bazë të statistikave në dallim nga viti 2018 në vitin 2019 ka ngritje prej 11.09 për qind.

Në vitin 2019, Policia e Kosovës është treguar dukshëm më e ashpër me shkelësit e rregullave në trafik.

Në periudhën Janar-Dhjetor 2019 Policia e Kosovës i ka shqiptuar hiç më pak se 445 mijë e 776 tiketa për kundërvajtje në trafik.

Kjo shënon rritje prej 11.09% krahasuar me vitin 2018. Në vitin 2018 Policia e Kosovës kishte shqiptuar 401 mijë e 266 tiketa për shkelje të rregullave të trafikut.

Policia e Kosovës ka deklaruar se gjatë vitit 2019 ka arritur të parandalojë dhe të zvogëlojë numrin e aksidenteve, aksidenteve fatale dhe personave të vdekur në trafikun rrugor.

Gjatë vitit 2019 aksidentet në trafikun rrugor kanë shënuar megjithatë rritje prej 2.17 për qind krahasuar me vitin 2018.

Në vitin 2019 janë shkaktuar gjithsej 16 mijë e 222 aksidente për dallim me 15 mijë e 877 në periudhën e njëjtë për vitin 2018.

Aksidentet fatale në vitin 2019 kanë qenë 100 të tillë numër i njëjtë me vitin 2018.

Kurse personat e vdekur në aksidente ka shënuar rënie në vitin 2019 krahasuar me vitin 2018.

Policia e Kosovës ka konfirmuar se gjithsej 113 persona kanë vdekur në aksidente trafiku në vitin 2019, duke shënuar ulje prej 12.40 për qind në krahasim me vitin 2018, vit në të cilin 129 persona kanë gjetur vdekjen nga aksidentet e komunikacionit.

Nëpër rrugët e Kosovës çdo ditë ndodhin rreth 40 aksidente komunikacioni, e që sipas Policisë shkaqet kryesore të aksidenteve janë pakujdesia dhe tejkalimi i shpejtësisë.

Ndërkaq Policia nuk ka treguar për llojin më të shpeshtë të gjobave të shqiptuara gjatë vitit 2019 e as vlerën totale të tiketave.

“Lloji dhe vlera e gjobave te shqiptuara është e ndryshme, te njëjtat janë shqiptuar ne nivel vendi sikurse edhe përfshirja e aksidenteve qe është paraqitur ne nivel vendi”, thuhet në përgjigjen e Policisë së Kosovës.