Vetëm 39% e punonjësve në Shqipëri ndjehen të angazhuar në punë, ndërsa 61% e tyre punojnë me “detyrim”.
Angazhimi në punë ka vlera nën mesatare për të gjithë faktorët e matur, pasi pjesa më e madhe e punonjësve ndjehen të pavlerësuar për punën që kryejnë, pa mundësi për rritje profesionale dhe karrierë si dhe me besim të ulët tek kolegët e veçanërisht tek eprorët.
Të dhënat janë publikuar nga sondazhi mbi kënaqësinë dhe angazhimin në punë të zhvilluar nga qendra e burimeve njerëzore dhe trajnimeve EPPC.
Interesant është fakti, se të anketuarit listojnë si arsyen e parë të mosangazhimit në punë, kolegët, pra mjedisin e punës, me 46%.
Kjo lidhet me bashkëpunimin mes tyre dhe besimin tek njëri-tjetri. Në vendin e dytë renditet natyra e punës, e cila i bën ata të mos angazhohen maksimalisht, me 40%. Në vendin e tretë renditen eprorët, besimi i ulët në vlerësimin e tyre dhe mënyrën se si i promovojnë punonjësit, me 39%.
Ndërsa në vendin e fundit renditet karriera, me 33%, ku punonjësit e gjejnë të vështirë që të rriten në pozicione në një vend pune dhe të ecin përpara, çka bën që një pjesë e mirë të qëndrojnë në vend numëro dhe kjo shkakton pakënaqësi dhe ulje të motivimit dhe angazhimit për punën.