MENU
klinika

Shqipja - pasuri unikale, e paçmuar

Shqipëria dhe Kosova bashkohen “ligjërisht” për gjuhën

30.01.2020 - 17:41

     Akademia e Shkencave të Shqipërisë dhe ajo e Shkencave edhe e Arteve të Kosovës kanë nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi. Sipas krerëve të këtyre dy akademive, Mehmet Kraja dhe Skënder Gjinush, vëmendja më e madhe do të jetë ruajtja e gjuhës shqipe.

“Këshill Ndërakademik për Gjuhën Shqipe, konferencë mbarëkombëtare për 50-vjetorin e Kongresit të Gjuhës Shqipe, një enciklopedi shqiptare, përkujtimi i 30-vjetorit të miratimit të deklaratës Kushtetuese dhe i Kushtetutës së Kosovës, botime fjalorësh, por edhe bashkëpunime në dijet e tjera shkencore”, janë vetëm disa nga pikat, që përmban marrëveshja e bashkëpunimit kërkimor shkencor dhe artistik, që u nënshkrua në Tiranë, midis krerëve të dy akademive të Shkencave të Shqipërisë edhe të Shkencave dhe Arteve të Kosovës, për vitin 2020 dhe 2021. Marrëveshja ka në krye të rendit të punës, mbrojtjen me ligj e gjuhës shqipe ndaj deformimeve.

“Marrëveshja flet për një bashkëpunim të ngushtë mes Akademisë sonë dhe asaj të Kosovës, veçanërisht në mbrojtjen e gjuhës shqipe, albanologji, por edhe në fusha të tjera. Pasi të konkretizohen do të jenë detyruese, sepse do ta bëjmë me ligj, që mos të shtrembërohet gjuha. Për të kooperuar dhe zhvilluar studime të përbashkëta, që të dyja akademitë do të luajnë role dinjitoze për në të gjitha trevat ku ka institucione shqiptare”, – ka thënë para medieve, kreu i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Gjinushi.

Kraja, cilëson si projektin më madhor nga ky bashkëpunim, aktivizimin e Këshillit Ndërakademik për Gjuhën Shqipe.

“Kemi arrit’ që të krijojmë një atmosferë bashkëpunimi shumë miqësore dhe të ndërsjelltë, mes dy akademive. Ndërsa, projektet që po nënshkruajmë disa janë më afatgjata dhe disa afatshkurtra. Do të ngrihet një këshill ndërakademik, që do të kujdeset për gjuhën shqipe dhe kjo, është shumë e rëndësishme”, – theksoi po ashtu, nga ana e tij, kreu i Akademisë së Shkencave edhe Arteve të Kosovës, Kraja.

Nënshkrimi i kësaj marrëveshje do të jetë i vlefshëm për 2 vjet, ndërsa mënyra e financimit të projekteve do të koordinohet me marrëveshje të veçanta për secilin.

 

Për më shumë lajme, vizitoni: www.konica.al