Falë kontributit të Forcave të Armatosura, 900 banorë të fshatrave Klos e Fan, prej ditës së sotme do ta kenë më të lehtë të shkojnë në shkolla, qendrat shëndetësorë, apo për tu lidhur me pjesën tjetër të Shqipërisë përmes Rrugës së Kombit. Ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka gjatë inspektimit të përfundimit të punimeve për urën “bailey, vlerësoi kontributin e FA dhe ekspertëve xhenio në komunitet.
“Dua të falenderoj efektivët tanë për punën e shkëlqyer që kanë bërë. “Me komunitetin, për komunitetin” është moto e Forcave tona të Armatosura. Në 2 vitet e fundit, efektivët xhenio i kanë lehtësuar komunikimin 60 mijë banorëve nga jugu në veri të vendit, falë 16 urave “bailey”. Përmes këtij kontributi, FA kanë lehtësuar shërbimet për mijëra familje, kryesisht në zonat rurale dhe ato me distancë të largët nga qendrat e qyteteve, duke krijuar mundësi më të mira për frekuentimin e fëmijëve në shkolla, vizitat në qendrat shëndetësore apo shfrytëzimin e bujqësisë në dobi të ekonomisë familjare”– tha Ministrja e Mbrojtjes.
Për ministren Xhaçka, vëmendja ndaj komunitetit, veçanërisht gjatë emergjencave civile është një ndër prioritetet kryesore të institucionit që ajo drejton.
“Përmes ligjit të ri “Për Mbrojtjen Civile”, do të ketë një koordinim më të mirë të të gjithë aktorëve. për t’i ardhur në ndihmë komunitetit në rast fatkeqësish natyrore apo në problemet e infrastrukturës. Brenda pak javësh do të mbërrijnë mjetet dhe uniformat e reja për ekipet e kërkim shpëtimit, zjarrfikësit dhe ekipet tona të specializuara në emergjenca, si përgjigja më e mirë ndaj kërkesave të kohës”– nënvizoi ministrja gjatë inspektimit.
Ura “bailey” që do t’u shërbejë banorëve të Fanit dhe Klosit ka një gjatësi prej 24 metrash dhe u bë e mundur falë bashkëpunimit të ekspertëve xhenio, të profilizuar më së miri në ndërtimin e urave të tilla, me bashkinë e Mirditës. Ministrja e Mbrojtjes shoqërohej nga deputetja Lindita Nikolla dhe kryebashkiaku i Mirditës, Ndrec Dedaj.
Për vitin 2020, janë 36 milion lekë të reja, pjesë e buxhetit për mbrojtjen, që do të përdoren për modernizimin e Forcave të Armatosura.