MENU
klinika

Publikohet shifra zyrtare

Sa na dëmtoi tërmeti i 26 nëntorit?

05.02.2020 - 10:52

Tërmeti i 26 nëntorit të vitit të kaluar i ka shkaktuar Shqipërisë një dëm prej 985 milionë euro. Kjo u bë e ditur nga ministri Bledi Çuçi në deklaratënm për mediat ku u prezantua raporti i gjetjeve për dëmet e tërmetit.

Ministri tha se nga tërmeti tragjik i 26 nëntorit u prekën më shumë se 202 mijë persona në 11 bashki të vendit. Tërmeti tragjik shkaktoi humbjen e jetës së 51 personave dhe lënien pa strehë të 14 mijë të tjerëve.

Fjalimi i plotë i ministrit Çuçi:

26 nëntori i vitit 2019 do të mbahet mend si një ditë e rëndë për ne shqiptarët. Një tërmet shkatërrimtar me magnitudë 6.3 ballë shkaktoi 51 viktima, plagosi 900 të tjerë, si dhe zhvendosi nga banesat e dëmtuara rreth 17 mijë njerëz. Në total prej kësaj katastrofe natyrore u prekën 202 291 persona në 11 njësi të qeverisjes vendore.

Përkundër kësaj situate të rëndë e të pazakontë për vendin tonë, Qeveria shqiptare ndërmori masa të menjëhershme për operacionin e kërkim-shpëtimit në rrënoja dhe gjithashtu për strehimin e familjeve të mbetura në qiell të hapur. Një kontribut i madh dhe solidaritet i jashtëzakonshëm erdhi nga miqtë dhe partnerët tanë ndërkombëtarë, pa të cilët s’do ta kishim të lehtë përballimin e gjendjes së krijuar në qarqet Durrës, Lezhë e Tiranë.

Një javë pas katastrofës Qeveria shqiptare kërkoi mbështetjen e Bashkimit Europian, Kombeve të Bashkuara dhe Bankës Botërore për të nisur së bashku një proces tjetër tejet të rëndësishëm; vlerësimin e plotë dhe gjithëpërfshirës të nevojave pas katastrofës, për të identifikuar në këtë mënyrë dëmet, humbjet dhe nevojat e rikuperimit që vijnë nga tërmeti.

Rreth 90 persona, mes tyre 60 ekspertë të huaj dhe vendas, si dhe zyrtarë të institucioneve shqiptare, arritën që në kohë rekord, si asnjëherë më parë, ta përfundonin raportin e vlerësimit më 30 janar 2020. Është punuar me ritëm të lartë për 45 ditë, pa pushim, në mënyrë që ky dokument i domosdoshëm dhe çertifikuar ndërkombëtarisht të ishte gati.

Raporti PDNA është hartuar sipas standardeve të BE, BB dhe UNDP dhe me të njëjtën metodologji që është përdorur edhe në rastet e fatkeqësive të tjera natyrore në botë. Raporti është furnizuar me të dhëna përmes sistemit të akt-verifikimit dhe raportimit on-line të dëmeve. Krahas ngritjes së këtij sistemi në kohë rekord, po në kohë rekord u bë verifikimi i mbi 50 mijë ndërtesave të cilat përbëjnë 80% të totalit të objekteve të dëmtuara nga tërmeti si dhe u verifikuan 100% të gjitha ndërtesat me rrezikshmëri të lartë. Gjithashtu, një ndihmë të pakursyer dhanë edhe krye bashkiakët, dhe Paralelisht me këtë proces janë zhvilluar dhe 4 anketa në të 3 qarqet për të evidentuar pasojat socio-ekonomike të familjeve dhe bizneseve. Ekspertët që janë angazhuar në këtë proces, në bazë të metodologjisë së gjithëpranuar, kanë vlerësuar dëme dhe humbje në shumën prej 985,074,906 Euro.

Megjithatë kur vjen fjala tek vlerat financiare të cilat do ti shpjegojë më mirë ekspertja, vlen të theksohet se ky dokument nuk është shterues dhe do të shërbejë si udhërrëfyes për Programin e Rindërtimit. Unë gjej rastin këtu të falënderoj në mënyrë të veçantë të gjithë ekipin e ekspertëve që kanë punuar për këtë raport pa të cilin ne nuk mund të shkonim në konferencën e donatorëve më 17 shkurt në Bruksel.

Sot kemi një dokument të plotë, që adreson të gjitha nevojat që ka Shqipëria për rimëkëmbjen pas katastrofës natyrore të 26 nëntorit. Qeveria shqiptare do të udhëheqë dhe zbatojë programin e madh të rindërtimit, i cili sigurisht kërkon bashkëpunimin dhe një qasje aktive të qytetarëve.

Deri më tani kemi miratuar një fond për këtë program, si dhe 18 zona të reja ndërtimore në qarqet e prekura nga tërmeti. Ky program është një sipërmarrje e madhe.

Për të përmbushur të gjitha nevojat dhe për të adresuar çdo problematikë, si dhe rreziqet e katastrofave natyrore në të ardhmen, kërkohet një mobilizim i përbashkët i burimeve financiare. Unë besoj se kjo do të ndodhë në konferencën e donatorëve. Në emër të qeverisë shqiptare ju falenderoj për mbështetjen tuaj.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


"Ne jemi pjesë e këtij vendi"

Bankers Petroleum dhuron 1 milion USD


Euro bie në nivelin më të ulët të dy viteve kundrejt dollarit

Çfarë po ndodh me monedhën europiane?

“Do ketë barazim të moshës për secilën gjini“

Daljet në pension 67 vjeç, Qeveria: Përpara vitit 2056!

REL: Zilja e alarmit është ndezur!

Ekonomia ruse drejt rënies së pashmangshme!