Gazetarja e njohur me origjinë arabo-izraelite, Rula Jebreal, ishte një ndër prezantueset e festivalit të njohur “Sanremo”, nata e parë e të cilit u mbajt mbrëmjen e djeshme.
Ajo shkëlqeu me veshjet dhe profesionalitetin e saj, por ajo që tërhoqi vëmendjen ishte një monolog i moderatores, mbi tragjedinë e nënës së saj, e cila kreu vetëvrasje pasi ishte përdhunuar.
“Nëna ime, që të gjithë e quanin Nadia, humbi trenin e saj të fundit kur isha 5 vjeç. Ajo bëri vetëvrasje duke i vënë zjarrin vetes. Por dhimbja është një flakë e ngadaltë që filloi të rritet kur isha adoleshente. Trupi i saj ishte diçka të cilën dëshironte ta hiqte qafe, ai kishte qenë vendi i torturës së saj sepse nëna ime ishte përdhunuar dy herë: në moshën 13-vjeçare nga një burrë, pastaj nga një sistem që e detyroi të heshtte, sepse plagët rrjedhin gjak më shumë kur nuk të besojnë. Burri që e përdhunoi për vite me radhë ishte me të ndërsa flakët përpinë trupin e saj. Ai kishte çelësat e shtëpisë ”.
“Nesër pyesni se si ishin veshur prezantuesit e ‘Sanremo’-ss, pyesni si ishte veshur Jebrail. Asnjëherë mos pyesni një grua që u dhunua sesi ishte veshur atë natë”, u shpreh moderatorja Rula Jebreal në monologun e saj në Sanremo mbi dhunën ndaj grave.
“Ne nuk duhet të kemi më frikë, ne gratë duam të jemi të lira në hapësirë dhe kohë, të jemi të heshtura dhe të zhurmshme dhe të jemi… muzikë”, përfundoi Jebreal, duke rrëfyer dramën e vetëvrasjes së nënës së saj.