Pasi i kërkuan që të plotësonte formularin e deklarimit të pasurisë, OFL i ka bllokuar automjetin biznesmenit Dashamir Gjoka. Ky i fundit, rezulton i dënuar në Itali për veprën penale “Trafik i qenieve njerëzore”.
Biznesmeni u shoqërua sot në polici, dhe pasi u mor në pyetje, u la i lirë. Mësohet se mjeti i tij i blinduar, është bllokuar për verifikim të dokumentacioneve.
NGA ATENTATI I DESHTUAR TEK KONFISKIMI I PASURISE
Gjoka, pronar i disa bizneseve i shpëtoi një atentati në gusht 2017 tek “Katër Rrugët” e Shijakut. Policia tha se ishin dy vëllezër që tentuan ta vrisnin për shkak të një konflikti të vjetër. 25 plumba u zbrazën mbi biznesmenin, por për shkak se ndodhej në një makinë të blinduar ai mundi të shpëtonte bashkë me familjen e tij.
Ndërkohë me kërkesë të Prokurorisë për Krime të Rënda, gjykata e shkallës së parë për Krime të Rënda ka vendosur konfiskimin e disa pasurive të paluajtshme të regjistruara në emër të tij, nga Durrësi. Hetimi pasuror, në kuadër të ligjit “Antimafia”, nisi ndaj këtij shtetasi nga Prokuroria për Krime të Rënda, pas dyshimeve se ai i kishte krijuar pasuritë në bazë të të ardhurave të krijuara nga aktiviteti kriminal që ka kryer në Itali.
Në bazë të dokumentacionit të siguruar nga ana e Prokurorisë për Krime të Rënda rezulton se “me vendimin e Gjykatës së Apelit të Milanos, Itali, të datës 02.11.2007, shtetasi Dashamir Gjoka është dënuar me 10 vjet dhe 6 muaj burgim, për vepra penale që nga ligji penal shqiptar parashikohen si veprat penale ‘shfrytëzimi i prostitucionit’ dhe ‘trafikimi i personave’, të parashikuara nga nenet 114 dhe 110/a të K.Penal, duke qenë në këtë mënyrë subjekt i masave parandaluese pasurore të ligjit nr.10192, datë 03.12.2009 ‘Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar, trafikimit dhe korrupsionit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë’”.
Në përfundim të gjykimit të kërkesës me objekt konfiskimin e pasurive në zotërim të personit të mësipërm, Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, vendosi konfiskimin e pasurive të paluajtshme të përshkruar si më poshtë;
Pasuria e sekuestruar
Pasuria me sipërfaqe 6949 m² truall dhe 2012.17 m² ndërtesë, kompleks shërbimesh “Gjoka”, ndodhur në Durrës;
Pasuria me sipërfaqe 4639 m² arë, ndodhur në Durrës;
Pasuria me sipërfaqe 1247 m² truall dhe 230 m² + 710 m² ndërtesë, ndodhur në Durrës;
Pasuria me sipërfaqe 928 m² truall dhe 229 m² ndërtesë dy kate, ndodhur në Durrës;
Shoqëria “Gjoka” sh.p.k., së bashku me të gjitha asetet e saj.
Vlera totale e pasurive të konfiskuara është llogaritur në vlerën prej rreth 200.000.000 lekë (te reja).
Gjatë procesit gjyqësor rezultoi se pasuritë në zotërim të shtetasit Dashamir Gjoka nuk i përgjigjen dukshëm nivelit të të ardhurave, fitimeve apo veprimtarive të ligjshme të deklaruara prej tij, dhe se personi i mësipërm nuk arriti që të provojë dhe të justifikojë burimin e ligjshëm të pasurive në zotërim të tij.