MENU
klinika

Qeveria japoneze pjesë e investimit?

BERZH ‘derdh’ 50 milionë USD për rehabilitimin e rrugëve

10.02.2020 - 13:35

Investimi 50 milionë USD, për rehabilitimin dhe përmirësimin e infrastrukturës rrugore, lehtëson zhvillimin e turizmit, mbështet integrim ekonomik më të ngushtë rajonal dhe përmirëson sigurinë rrugore në vendin tonë.

Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) financon një hua prej 50 milion USD në Shqipëri për projektin e rehabilitimit të rrjetit rrugor rajonal dhe lokal të Shqipërisë në: një segment rrugor me gjatësi rreth 10,6 km, përfshirë dy devijime të vogla midis qytetit të Vlorës dhe Orikumit përgjatë bregdetit jugor; një segment rrugor me gjatësi rreth 13 kilometra, midis qytetit të Shëngjinit dhe fshatit Baks-Rrjoll në afërsi të Velipojës përgjatë bregdetit verior, një segment rrugor me gjatësi rreth 47,1 kilometra, midis fshatit Zgosht dhe Urës së Cerenecit në Shqipërinë lindore.

Në një njoftim për shtyp, BERZH bëri të ditur sot se, investimi do të shoqërohet me masa të mbështetura nga Qeveria e Japonisë, me qëllim sigurimin e mundësive efikase për trajnim gjatë punës gjatë fazës së ndërtimit, për të rinjtë. Përmirësimet në sigurinë rrugore do të ndjekin rekomandimet për sigurinë rrugore të bëra në një raport auditi të financuar me burimet e BERZH-it.

Projekti i rrugës do të përfshijë gjithashtu masa për përshtatje ndaj klimës, me qëllim rritjen e rezistencës së rrugëve që shpesh i nënshtrohen përmbytjeve dhe rrëshqitjeve të dherave, duke garantuar kështu mbarëvajtje efikase të udhëtimit.

BERZH është një bankë shumëpalëshe që promovon zhvillimin e sektorit privat dhe nismat sipërmarrëse në 38 ekonomi në tre kontinente. Banka është në pronësinë e 69 vendeve si dhe të BE-së dhe EIB-së. Investimet e BERZH-it kanë si qëllim që ekonomitë në rajonin e vet të bëhen konkurruese, përfshirëse, të mirë qeverisura, të gjelbra, rezistente dhe të integruara.

Deri tani, BERZH ka investuar afërsisht 1,4 miliard Euro në 96 projekte në Shqipëri. Strategjia e Bankës në Shqipëri përqendrohet në zhvillimin e sektorit privat, përmirësimin e infrastrukturës dhe promovimin e investimeve të qëndrueshme energjetike dhe të shëndosha nga ana mjedisore.