MENU
klinika

Ushqimet që lehtësojnë simptomat

Si duhet të ushqehen gratë gjatë menopauzës?

12.02.2020 - 14:31

Dietologia Enkeleida Ferrollari, thekson rëndësinë e madhe të mënyrës së të ushqyerit gjatë menopauzës. Sipas saj, një ushqim i rregullt dhe i ekuilibruar ndihmon në parandalimin dhe lehtësimin e problemeve që lindin gjatë menopauzës. Duhet t’i kushtohet shumë kujdes kontrollit të kalorive të konsumuara gjatë ditës, duke konsumuar vakte të shpeshta dhe të vogla. Por edhe përzgjedhja e ushqimeve është shumë e rëndësishme. Me ushqimin ditor, organizmi duhet të sigurojë të gjitha nevojat me përbërës mikro e makroushqyes.

Vaktet e rregullta. Duhet të kemi një shpërndarje të kalorive ditore në pesë vakte; tre vakte kryesore dhe dy të ndërmjetme. Përveç drekës dhe darkës mëngjesi duhet të jetë një ndër vaktet
kryesore i cili duhet të jetë me bazë bulmeti, në formën e qumështit dhe të kosit të shoqëruar nga drithërat. Nuk duhet të kapërcehen dhe të bashkohen dy vakte në një. Çrregullimi i tyre shkakton rrezik obeziteti, probleme të metabolizmit dhe të përthithjes së plotë të përbërësve ushqyes.

Proteinat. Duhet të marrim sasinë e nevojshme të proteinave, duke pasur si burim kryesor mishin e pulës apo të peshkut (duke reduktuar sasinë e proteinave të marra nga mishi i kuq në 1 deri 2 herë në javë) dhe duke i dhënë një rëndësi të madhe proteinave bimore në formën e bishtajoreve, si fasulet, thjerrëzat, bizelet, qiqrat, etj, deri në dy herë në javë.

Yndyrat. Përzgjedhja e yndyrave është gjithashtu një element thelbësor. Ato duhet të jenë kryesisht yndyra bimore, në formën e vajrave bimore të ullirit ose të farave të ndryshme. Omega-3. Acidet yndyrore esenciale duhet të jenë pjesë e dietës sonë ditore. Ato i sigurojmë nga peshku, frutat e thata (arrat, bajamet, lajthitë, etj) por duke kontrolluar sasinë e këtyre të fundit, pasi ekziston rreziku I kalorive të shtuara. Doza ditore mund të jetë deri në 10 kokrra.

Kalciumi dhe vitamina D. Menopauza shoqërohet me probleme të osteoporoses për shkak të çrregullimeve të bilancit të kalciumit. Për këtë arsye është shumë I rëndësishëm sigurimi i sasisë së nevojshme të kalciumit nëpërmjet ushqimit dhe të vitaminës D. Sasinë e nevojshme të kalciumit e sigurojmë duke konsumuar ushqime të grupit të bulmetrave, të paktën tre racione në ditë, si qumështi, kosi, djathërat e freskët apo gjiza. Bulmetrat duhet të përzgjidhen pjesërisht të skremuar, jo me yndyrë të plotë. Por edhe sigurimi i vitaminës D, nëpërmjet ekspozimit të paktën 10 minuta në ditë në diell (jo në oraret që është shumë I fortë), është i domosdoshëm.

Karbohidratet. Ato duhet të përbëjnë bazën e kalorive tona ditore por duke shmangur karbohidratet e thjeshta në formën e sheqerit të bardhë apo të ëmbëlsirave dhe duke përzgjedhur drithëra të papërpunuara si bukën e zezë, makaronat, orizin, etj.

Perimet dhe frutat. Duhet të zënë një vend kryesor në ushqimin ditor, deri në 5 racione (perimesh) në ditë. Përveçse janë të pasura me vitamina, kripëra minerale, antioksidues dhe fibra, janë të pasura edhe me fitoestrogjene, hormone bimore të cilat ndihmojnë organizmin në përballimin e çrregullimeve që mund të shkaktohen nga mungesa e hormoneve të estrogjenit.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Dr. Dritan Subashi, Obstetër Gjinekolog

Vdekja/ Je në menopauzë? Do përlotesh pas kësaj…