MENU
klinika

"Oscar" skllavërisë moderne!

“The Guardian”: Hollivudi bëri kthesën e papritur

12.02.2020 - 18:16

     Pas shumë vitesh shpërblimi për mediokritetin dhe konformitetin, çmimet “Oscar” kanë bërë një zgjedhje të guximshme dhe të shkëlqyeshme. Urra, shijes tashmë pozitive hollivudiane! “Filmi më i mirë”, “Regjisori më i mirë” dhe “Filmi më i mirë i huaj” kanë shkuar për një film që i meriton me të vërtetë këto; një film përtej interesit të Los Anxhelosit. Filmi “Parasite” (Paraziti) i regjisorit Bong Joon-ho, nga Koreja e Jugut, është satirë mahnitëse, e zgjuar dhe e fuqishme, me ulje-ngritjet e një familjeje lakmitare që shkon te një familje e pasur dhe që, duke e bërë këtë, zbulon mosfunksionimin e dyfishtë të të dy grupeve familjare, të zotërinjve dhe shërbëtorëve, si dhe pakënaqësinë më të gjerë të shoqërisë, duke demaskuar skllavërinë e shekullit XXI.

E pranoj se në një aspekt thjesht subjektiv, isha i fiksuar pas filmit “Irishman” (Irlandezi) të regjisorit Martin Scorsese, që për fat të keq, shkoi në shtëpi pa asgjë. Mendova gjithashtu, se ishte e çuditshme sesi institucioni sillej thuajse “Paraziti”, ishte i vetmi film i huaj, i denjë për t’u lavdëruar, duke mos marrë parasysh filmat “So Long, My Son” (Lamtumirë, biri im) të regjisorit Wang Xiaoshuai dhe “Beanpole” (Vajza e gjatë), të regjisorit Kantemir Balagov.

Por, kush mund të ankohet për këtë? “Paraziti” paraqet herën e parë, kur një film i huaj merr çmimin si “Filmi më i mirë” dhe herën e parë që nga “Marty” (Marti) më 1955, ku fituesi i “Palmës së Artë”, triumfon në çmimet “Oscar”. Në turneun e tij të triumfeve nëpër ceremonitë e shpërblimeve, Bong i kishte thënë me shaka audiencës: “Sapo të kapërcesh pengesën një inç të lartë të titrave, do të njiheni me kaq shumë filma të mrekullueshëm”. Akademia e kapërceu këtë pengesë, duke u bashkuar me audiencën e cila, që moti ka treguar se kjo nuk është pengesë shumë e madhe: “Paraziti” po përmbys gjërat, veçanërisht në Mbretërinë e Bashkuar. Ndoshta, kjo tregon se filmi ka kaluar mirë në botën anglofone. Sepse, është një film që e lëshon raketën e ashpër satirike mbi klasat shoqërore dhe e bën të qartë, se kjo çështje nuk është zhdukur. Është ende një temë e paparashikueshme. Filmi i Bong Joon-ho-së, ka të bëjë me pabarazinë, padrejtësinë toksike që krijon dhimbje në shtetin si familje.

Joaquin Phoenix e ka marrë çmimin “Oscar”, mjaft të parashikuar për “Aktorin më të mirë”, për rolin e keqbërësit në filmin e Todd Phillips-it, “Joker” (Shakaxhiu). Jam skeptik dhe mendoj se, ajo që na dha Phoenix-i ishte një variant më pak interesant i lojës që ka ofruar në filmat, si: “The Master” (Mjeshtri) dhe “You Were Never Really Here” (Ti nuk ke qenë kurrë këtu). Por, ai pa dyshim, e shfaqi veten si personazh serioz e i matur në fjalimin që mbajti. Për aktoren më të mirë, vota ime do të kishte shkuar tek Cynthia Erivo, për filmin “Harriet” (Harieta) ose te Saoirse Ronan, për “Little Women” (Gratë e vogla), por portretizimi i përzemërt i aktores Renee Zellweger, në rolin e Judy Garland-it te “Judy” (Xhudi), e bën fituese plotësisht të denjë (megjithëse, ia vlen të përmendet se vetë Garland, kurrë nuk e ka marrë dashurinë e “Oscar”-it, si e rritur, duke fituar çmimin tashmë që nuk ekziston, “Për të rinjtë” më 1940, e që u anashkalua me shumë dhembje, kur u nominua për filmin “A Star Is Born” (Ylli po lind) e kur fitoi aktorja Grace Kelly).

Brad Pitt është fitues tërësisht i kënaqshëm, si Aktori më i Mirë në Rol Dytësor për rolin e kaskaderit të prajt po të rrezikshëm te komedia e zezë e Quentin Tarantino-s, “Once Upon a Time In Hollywood” (Na ishte njëherë në Hollivud) dhe e njëjta vlen për aktoren Laura Dern dhe kthimin e saj si avokatja dinake te “Marriage Story” (Rrëfimi martesor). Dern është ngjitur në statusin e kultit të heroinës në këtë sezon çmimesh, veçanërisht me nderin që ia bëri Kori i Burrave Homoseksualë të Los Angjelosit te ndarja e Çmimeve Spirit për filmin e Pavarur.

Pastaj, është mirë të shohësh Roger Deakins-in tek merr një “Oscar” për “Fotografinë më të mirë” për filmin drithërues të Sam Mendes-it mbi Luftën I Botërore, “1917”, film ky, që (fatkeqësisht) kaloi si i pavërejtur pas triumfit në çmimet BAFTA. Por, ky film i shkëlqyeshëm, që shkon përtej arritjeve teknike, do të vazhdojë të rrezatojë.

Ende vazhdojnë reagimet në lidhje me çmimet “Oscar” dhe ceremonitë tjera të kësaj natyre. Është ky klub i djemve të bardhë, mendjemëdhenj. Por, triumfi i “Parazitit”, ka bërë shumë për ta kundërshtuar këtë: është paralajmërimi i ndryshimit.

Për më shumë, vizitoni: www.konica.al

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN