MENU
klinika

Papa Kristo Negovani

Martiri i shqiptarizmës shkruar me gjak

12.02.2020 - 19:00

      Dy orë para se ta vrisnin, Papa Kristo i Negovani i shkruante një miku të tij në Rumani, se tri herë e kishin gjykuar dhe orë e çast e kërcënonin për shkakun e gjuhës shqipe, por kujdesi i tij s’ishte aq të ruante veten sesa të përhapte shkrimet e tij dhe të forconte lëvizjen kombëtare shqiptare: “Merrni edhe këto vjersha. Ngutem t’i dërgoj sa kam shkruar se mos mbeten, ndëqoftëse ndërrojmë jetën, pas mënyrës që u thashë”

Shënohet sot, përvjetori i vrasjes së meshtarit, shkrimtarit e patriotit shqiptar Papa Kristo Negovani – Harallambi, martir i gjuhës dhe i Kishës ortodokse shqiptare. Lindur në fshatin Negovan, në Follorinë të Greqisë Papa Kristua qe një ndër klerikët veprimtarë më të shquar të Rilindjes Kombëtare Shqiptare. Mësimet fillore i kreu në shkollën greke të fshatit. Studimet e mëtejshme i vijoi në gjimnazin e Athinës, por pas tre vjetësh u shtrëngua t’i ndërpresë sepse ndërkaq kusarët i kishin vrarë të atin. Në 1894 emigroi në Braila të Rumanisë, ku punoi tre vjet si marangoz. Gjatë kësaj kohe, Papa Kristua zuri miqësi dhe u familjarizua me veprimtarë të Shoqërisë së Stambollit, Drita të Bukureshtit e të tjerë të cilët e frymëzuar që t’i dilte zot gjuhës shqipe e cila rrezikonte të zhdukej si pasojë e shovinizmit të fqinjëve. Prej këtyre atdhetarëve shqiptar në Rumani mësoi edhe të shkruajë shqip me alfabetin e Stambollit.

Fillimisht mësues i katundit të Negovanit, Papa Kristua u shugurua meshtar ortodoks. Qe një ndër frymëzuesit e Kishës ortodokse autoqefale shqiptare, e cila do të bëhej realitet vetëm me Fan Nolin. Kisha dhe shtëpia e tij u bënë çerdhe të shqiptarizmës. I nxiste të gjithë besimtarët, papushim që të mbronin gjuhën dhe zakonet shqiptare.

Natën e 12 shkurtit të vitit 1905 një grup të panjohurish e morën me zor nga kisha ndërsa shpërndante naforën. E çuan në periferi të fshatit dhe e masakruan me thika e sopata duke thënë: “Shko tani të bësh propagandë për Shqipërinë dhe të thuash ungjillin shqip”. Bashkë me të vranë edhe të vëllain, Theodosin, edhe ky patriot.

Vrasjen e tij e vajtuan të gjithë shqiptarët si brenda ashtu edhe jashtë atdheut, ndër të cilët, Zef Skiroi, i kushtoi madje edhe një vjershë. Si përgjigje ndaj vrasjes së Papa Kristos, më 9 shtator 1906 çeta e Bajo Topullit vrau dhespot Fotin, mitropolitin e Korçës, i cili akuzohej se kishte qenë porositësi kryesor i vrasjes së vëllezërve Negovani.

Ndër veprat letrare të këtij martiri të gjuhës e të kishës ortodokse autoqefale shqiptare po kujtojmë: “Vjershë shkresëtoreje” ; “Hijtore istori me urata të thëna”; “Prishëja e Hormovës”, “I vogëli Donat Argjëndi”; “I drunjëti kryq”; “Istorishkronja e Plikatit”; “Istori e dhjatës vjetërë”; “Bënjatë e shënjtorëvet dërgimtarë” që sot do të tingëllonte si “Bëmat e Apostujve” e tjera.

Për më shumë, vizitoni: www.konica.al