MENU
klinika

Propozimi i Kurtit/ Reagojnë ish-ushtarakët

“Shërbimi ushtarak i obligueshëm ka kosto të lartë”

15.02.2020 - 09:03

Shërbimi ushtarak i obligueshëm, të cilin kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka paralajmëruar se do ta jetësojë gjatë qeverisjes së tij, po konsiderohet i mirëseardhur, por në të njëjtën kohë edhe si panevojshëm dhe mision i pamundur.

Njohësi i çështjeve të sigurisë, ish-komandanti i UÇK-së, Nuredin Ibishi, thotë se duhet të jetësohet shërbimi ushtarak i obligueshëm. Ndërkaq, ish-komandanti i FSK-së, Kadri Kastrati, po e konsideron si të panevojshëm dhe mision të pamundur.

Ky i fundit, ka thënë se nëse Kosova synon të anëtarësohet në NATO, atëherë nuk është urgjencë shërbimi i obligueshëm. “Shërbimi ushtarak për Kosovën është i nevojshëm, por i pamundur. Po thuajse i gjithë buxheti i Kosovës do duhej të shpenzohet vetëm për fushën ushtarake, duke mos përfshirë fushat tjera, siç është shëndetësia, arsimi e shumë të tjera dhe unë mendoj se për momentin është i panevojshëm dhe nëse ne investojmë në ngritje të kapaciteteve të planifikuara ushtarake për Kosovën, të cilat janë studiu që të 8 mijë trupa mjaftojnë që t’i përmbushin misionet e FSK-së”.

“E shoh të paarsyeshme për momentin sepse ne synojmë që të hyjmë në NATO dhe kjo është një prej qëllimeve të Kosovës që të jetë pjesë integruese e NATO-s dhe nëse hyjmë edhe ne në NATO siç janë disa vende, atëherë nuk e shoh një urgjencë të tillë me e përmbush nevojat e mbrojtjes dhe sigurisë të Kosovës”, ka thënë ai.

Kastrati rekomandon në vend të shërbimit ushtarak, kjo çështje të futet si lëndë joobligative nëpër fakultete shtetërore dhe private. “Shembull i kemi Shtete e Bashkuara të Amerikës (ShBA), ku të rinjtë shkojnë vikendeve nëpër kazerma dhe kryejnë trajnime të ndryshme, pastaj familjarizohen me armë, kanë dy ose tri qitje me armë e kështu me radhë, dhe kjo gjë do të mjaftonte që të rinjtë ta marrin njohuri bazike ushtarake dhe unë jam që të fusim si lëndë joobliguese por që të kenë ligjërata nëpër fakultete shtetërore dhe private, që ta kenë një edukim përgjithshëm ushtarak dhe kjo është e mjaftueshme për fillim dhe nuk është e kushtueshme”, ka thënë Kastrati.

Albin Kurti, leader of the Self-Determination movement (Vetevendosje), attends a campaign rally in Mitrovica, Kosovo, September 25, 2019. Picture taken September 25, 2019. REUTERS/Laura Hasani – RC19C993F4C0

Por ndryshe po mendon njohësi tjetër i sigurisë, Nuredin Ibishi. Ky i fundit e sheh si jetike shërbimin ushtarak në Kosovë. Madje, sipas tij, duke parë rreziqet dhe kërcënimet rajonale, si dhe ato globale nga terrorizmi, por edhe nga tensionet që vijnë nga Rusia, e detyron Kosovën ta shtyejë përpara këtë proces.

“Duke u bazuar në rreziqet dhe kërcënimet e reja të paparashikueshme dhe veprimet e organizatave terroriste të cilat janë tash të mundura në fushëbeteja dhe realisht që janë duke vepruar në vendin e prejardhjes dhe me kapacitetet e tashme që i ka FSK-ja dhe që është në transformimin e plotësimit të strukturës që do të jetë brenda dhjetë vitesh, ku afro pesë mijë forca aktive dhe tre mijë rezervë, mendoj se është e pamjaftueshme ky vlerësim. Gjithashtu është rrezik i veçantë edhe ndikimi rus në rajon”.

“Mendoj se ne duhet ta rikthejmë në sistem edhe pas programit të kryeministrit Kurti që të shikojmë për mundësinë e futjes në sistem të detyrimit ushtarak tre mujor, siç kanë shumë vende dhe ato që kanë rikthyer, sidomos vendet skandinave, vendet baltike por edhe vendet tjera”, ka thënë Ibishi. Por shërbimi ushtarak ka edhe implikime financiare, ku sipas Ibishit, duhet të rregullohen edhe aspektet infrastrukturore dhe kadrovike.

“Sistemi i detyrimit ushtarak ka edhe implikime financiare dhe në aspekte kadrovike, infrastrukturore që për një afat të shkurtër nuk munden të bëhen. Realisht duhet një kohë e gjatë të bëhet. Pra kjo nuk mund të bëhet për disa ditë por brenda dy-tri vitesh do të jemi në gjendje me krijimin e në të gjitha aspektet, si ato financiare, të personelit dhe infrastrukturore”, ka thënë Ibishi. Ibishi vlerëson që shërbimi i obligueshëm ushtarak mund të krijojë mundësitë për rigjenerimin e kuadrove profesionale të Forcës së Sigurisë së Kosovës.

E për këtë, ai thotë se duhet të gjendet një model i një shteti që është i përafërt me madhësinë e Kosovës. “Ka shumë modele, ne duhet të gjejmë një model të një shteti që është i përafërt me madhësinë e Kosovës dhe ne të shohim sesi ai sistem i atij shteti po funksionon”.

“Kjo duhet të bëhet me baza vullnetare, me mundësi të zgjedhjes së kohës kur ata e kryejnë atë detyrim ushtarak dhe normalisht se ai obligim të konvertohet në trajnime të vazhdueshme javore brenda vitit me qëllim se ata të ricertifikohen për përdorim të armës dhe teknologjisë së re që janë shumë të nevojshme në FSK. Diçka e rëndësishme është edhe rifreskimi i Forcave Profesionale të FSK-së me kuadro të reja që janë me profile të ndryshme që vijnë nga struktura civile”, u shpreh Ibishi. Kryeministri Albin Kurti, në rezymenë e planit qeverisë që paraqiti para deputetëve, ditë kur morri detyrën si kreu i Qeverisë, shërbimin ushtarak të obligueshëm e përmendi si një ndër pikat kryesore të programit.

Ja çfarë thotë misioni paqeruajtës i NATO-s në Prishtinë

Policët e Kosovës hynë në Serbi?

Pse ideja është një kopje e “botës ruse”

“Bota serbe” përndjek Ballkanin, kërcënon sërish Vulin

E paqartë nëse Lista Serbe po përgatitet për procesin

Serbët me disa alternativa në zgjedhjet e 9 shkurtit!