MENU
klinika

Ndryshim i rrjedhës kundër tyre?!

Pse evropianët i frikësohen rizgjedhjes së Trump?

20.02.2020 - 09:31

Kishte një sere çëshjesh të rëndësishme e shqetësuese në një konferencë të fundit globale të sigurisë në Mynih: Kina po ngrihet, Rusia po ndërhyn dhe Gjermania po dobësohet.

Por pyetja e pashmangshme – ajo që mund të ndryshojë rrjedhën menjëherë për Evropën – ishte nëse presidenti Donald Trump do t’i fitojë përsëri zgjedhjet në nëntor.

Zgjedhja e Trump do të shënonte një ndryshim thelbësor, mendon François Heisbourg, një analist francez.

“Tetë vjet në aspektin politik është një epokë, jo një gabim. Dhe kjo do të dëmtonte realitetin e demokracisë amerikane”, tha Heisbourg.

Sipas një shkrimi të The New York Times, paralajmërimi i Sekretarit të Shtetit, Mike Pompeo, për evropianët për të pranuar udhëheqjen e SHBA-së dhe “realitetin” u prit në konferencë me heshtje të gurtë. Aleatët tradicionalë të SHBA-së nuk ishin të sigurt se ata do të ishin në gjendje të varen nga Shtetet e Bashkuara në një mandat tjetër të Trump.

Shumë njerëz presin që përçarja do të zgjerohet vetëm nëse Trump mbetet në detyrë.

Wolfgang Ischinger, drejtor i konferencës dhe një ish-ambasador gjerman në Uashington, vuri në dukje “armiqësinë” e Trump ndaj aleatëve evropianë, duke pyetur: “Pse aktualisht duket se ne po jetojmë në planete të ndryshme?” “Besimi në Shtetet e Bashkuara do të ishte tepër i ulët, dhe rizgjedhja e tij do të dëmtonte aleancën në dy mënyra”, tha Heisbourg. “Së pari, ai nuk beson në aleanca, por ai është gjithashtu shumë i paparashikueshëm. Askush, duke përfshirë Trump, nuk ka asnjë ide se ku do të shkojë me këto, dhe paparashikueshmëria ulë besueshmërinë”.

“Zgjedhja e Trump do të kishte thellësisht pasoja”, tha një zyrtar i lartë evropian, i cili kërkoi të mos identifikohej, nga frika e ndëshkimit për vendin e tij. “Nëse SHBA e zgjedh atë duke ditur gjithçka rreth tij, kjo do t’i ndryshojë gjërat këtu”.

Një mandat i dytë i Trump “do të jetë i njëjtë dhe akoma më keq”, parashikon Amanda Sloat, një ish zyrtare e Departamentit të Shtetit tani në Institucionin e Brookings.

Evropianët panë zgjedhjet e Donald Trump, me një diferencë kaq të ngushtë, si “ndoshta një diçka të momentit”, tha Daniel S. Hamilton, një profesor në Shkollën e Studimeve Ndërkombëtare të Avancuara në Johns Hopkins. “Nëse amerikanët e zgjedhin atë, është një vendim strategjik”, tha Hamilton. “Por është e vështirë të dihet se çfarë do të bënin evropianët në lidhje me të”.

Një mandat i dytë i Trump “do të jetë edhe katër vjet të tjera ‘Amerika e Para’”, tha Robin Niblett, drejtor i çështjeve ndërkombëtare. “Evropa do të kuptonte më shumë dhe më shpejt se duhet të kujdeset për veten e saj”.

Edhe presidenti gjerman, Frank-Walter Steinmeier, kritikoi unilateralizmin e Trump si thellësisht të dëmshëm për aleancën. Shumë presin që evropianët të rrisin bisedimet për pavarësinë e tyre, por do të kenë probleme në krijimin e një alternative të besueshme të sigurisë, dhe kështu, në fund të fundit, ata do të gjenin mënyra “për t’u shoqëruar me Trump” – në vend që ta kundërshtonin hapur.

Jo të gjithë janë të pakënaqur me perspektivën e Trump. Evropianët qendrorë që kanë një histori okupimi nga Bashkimi Sovjetik priren të jenë mbështetësit e tij më të fortë. Por ata gjithashtu shqetësohen për ambivalitetin e dukshëm të Trump ndaj NATO-s dhe admirimin e tij të dukshëm për presidentin Vladimir Putin të Rusisë.

Nëse Trump e tjetërson plotësisht Evropën, mund të dëmtojë gjithashtu Shtetet e Bashkuara, tha R. Nicholas Burns, një ish-zyrtar i lartë amerikan që mbështet Joe Biden për president të SHBA-së. Rreziku “është që Evropa mund të fillojë ta shohë veten si një pol i tretë në politikën globale midis Kinës dhe SHBA-së”, shtoi ai. “Kjo do të ishte një humbje e madhe strategjike për SHBA-së në fuqi dhe ndikim”.

“Por nëse Trump rizgjidhet, evropianët nuk do të presin më, por do ta refuzojnë më hapur”, mendon Ivo Daalder, një ish-ambasador i SHBA-së në NATO.

Ndërsa Claudia Major, një eksperte e mbrojtjes në Institutin Gjerman për Çështjet Ndërkombëtare dhe të Sigurisë, tha se shumë do të varen “nga ajo se çfarë Evrope ka përballë Trump”.

Mund të jetë një e forcuar ose e ndarë që do të lejojë fuqitë më të mëdha të marrin kontrollin. “Ka kaq shumë përgjigje evropiane”, mendon ajo, “sepse ka kaq shumë vende dhe interesa të ndryshme”.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Deklarata e presidentit iranian

“Amerikanët kanë sjellje fëmijërore”