MENU
klinika

MARUBI-MUAJI I KUJTESËS

Shkodër, 1990: Besimtarët rikthehen në shtëpinë e Zotit

21.02.2020 - 15:51

      Është nisma e ndërmarrë prej ministrisë së Kulturës, që ka gjetur mbështetje të plotë nga Muzeu kombëtar i fotografisë në Shkodër, “Marubi”. Për “Muajin e Kujtesës”, Marubi publikoi disa fotografi të rralla, dëshmi nga ngjarjet e viteve ’90-të –  vite që ruhen në kujtesën kolektive si pararoje të lirisë së fjalës e të besimit” – siç janë shprehur autoritetet./Konica.al

Këtyre ditëve,  në muzeun “Marubi” gjetën hapësirë imazhet e besimtarëve, të cilëve u ishte dhënë tashmë liria e besimit.  Pamjet tregojnë sesi ata orientohen drejt hyrjes së një hapësire të shenjtë, që shënon edhe rihapjen së Xhamisë së Plumbit në Shkodër, më 16 nëntor 1990, pas mbylljes së saj në vitin 1967, asokohe në emër të “revolucionit kulturor”.

“Mijëra besimtarë u grumbulluan të kremtonin atë të premte, ritin e faljes nën drejtimin e Haxhi Hafiz Sabri Koçit. Kjo datë shënon edhe rihapjen e xhamive në Shqipëri pas vitesh ateizmi. Foto Angjelin Nenshati, “Hapja e Xhamisë së Plumbit” Shkodër, 16.11.1990, koleksion i familjes Angjelin Nenshati”, shkruhet në njoftimin e Muzeut.

“Marubi” ruan në arkiv, rreth 400.000 negativë në pllaka xhami, të organizuar në mënyrë të përkryer dhe të klasifikuar sipas vitit të shkrepjes dhe përmbajtjes së fotografisë. Në katet e muzeut janë edhe studiot e fotografit të famshëm Pietro Marubit dhe të pasardhësve të tij. Dyzet vjetët e karrierës së Pietro Marubit u janë dedikuar mijëra fotografive të ngjarjeve të rëndësishme, si edhe jetës së përditshme shqiptare. Shumë prej tyre janë portrete të qytetarëve të thjeshtë, figurave të famshme si Edith Durham, apo kurtizaneve të asaj kohe, fotot e të cilave përmbajnë elemente nude, duke krijuar kështu një koleksion tepër interesant për vendin, shumë të bukur e njëherësh, avangardë për kohën.

Njeriu ishte subjekti kryesor i Marubit. Ai dha kotributin e tij edhe në mjekësinë e asaj kohe, duke fotografuar simptomat e sëmundjeve të ndryshme, ende të panjohura. Vizituar sot, Marubi përmbledh pamje që nga urbanistika dhe planimetria e qyteteve ndër vite, peizazhe natyrore, shtëpi karakteristike në qytet e fshat, veshje tradicionale të zonave të ndryshmen si dhe mijëra ushtarë dhe komandantë të Luftës I dhe II Botërore, që ofrohen për sytë kureshtarë, herë pas here.

Për më shumë lajme, vizitoni: www.konica.al

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Shkodra në retrospektivë

158 vite në celuloid

Java e Trashëgimisë Kulturore

Edukimi përmes Kulturës