Në etimologji gjuha amtare është gjuha që nëna i flet fëmijës. Pra, është gjuha që e përkund gjatë gjithë fëmijërisë, ajo që i ngjall dashurinë, ndjesinë e familjes. Sigurisht, të shumtë janë njerëzit që e flasin gjuhën e tyre amtare në jetën e përditshme, thjesht sepse kjo gjuhë është mbizotëruese në vendin ku banojnë. Sidoqoftë, po kaq janë ata që nuk e praktikojnë çdo ditë gjuhën e tyre amtare: emigrantët, fëmijët e emigrantëve, njerëzit që jetojnë në rajone ku bashkëjetojnë një gjuhë rajonale dhe një gjuhë zyrtare./Konica.al
Gjuhët, me implikimet e tyre komplekse për identitet, komunikim, integrimin shoqëror, arsimimin dhe zhvillimin, kanë një rëndësi strategjike për njerëzit dhe planetin. Megjithkëtë, për shkak të proceseve të globalizmit, ato janë gjithnjë e më të kërcënuara, ose po zhduken krejt. Kur zbehen gjuhët, zbehet edhe veshja e pasur e diversitetit kulturor në botë. Mundësitë, traditat, kujtimet, mënyrat unike të të menduarit dhe të të shprehurit, burime të vlefshme për të siguruar një të ardhme më të mirë, gjithashtu humbasin.
Të paktën 43% e 6000 gjuhëve të llogaritura në botë janë të rrezikuara. Vetëm disa qindra gjuhëve u është dhënë një vend i vërtetë në sistemet arsimore dhe në domenin publik, më pak se njëqind përdoren në botën dixhitale.
Dita Ndërkombëtare e Gjuhës Amtare kremtohet çdo vit, që nga 21 shkurti 2000, për të promovuar diversitetin gjuhësor e kulturor dhe shumëgjuhësinë. Gjuhët janë instrumentet më të fuqishme për ruajtjen dhe zhvillimin e trashëgimisë sonë të prekshme dhe të paprekshme. Të gjitha lëvizjet për të promovuar përhapjen e gjuhëve amtare do të shërbejnë jo vetëm për të inkurajuar diversitetin gjuhësor dhe arsimin shumëgjuhësh, por edhe për të zhvilluar vetëdijen më të plotë, për traditat gjuhësore dhe kulturore në të gjithë botën, si dhe për të frymëzuar solidaritetin bazuar në mirëkuptimin, tolerancën dhe dialogun. Çdo dy javë një gjuhë zhduket, duke marrë me vete një trashëgimi të tërë kulturore dhe intelektuale. Shoqëritë shumëgjuhëshe dhe multikulturore ekzistojnë përmes gjuhëve të tyre, që transmetojnë dhe ruajnë dijet dhe kulturat tradicionale në një mënyrë të qëndrueshme.
Dita Ndërkombëtare e Gjuhës Amtare u shpall nga Konferenca e Përgjithshme e Organizatës së Kombeve të Bashkuara Arsimore, Shkencore dhe Kulturore (UNESCO) në nëntor 1999.
Në ditët e sotme ekziston ndërgjegjësimi në rritje, që gjuhët luajnë një rol jetësor në zhvillimin, në sigurimin e diversitetit kulturor dhe dialogut ndërkulturor, por edhe në forcimin e bashkëpunimit dhe arritjen e arsimit cilësor për të gjithë, në ndërtimin e shoqërive gjithëpërfshirëse të njohurive dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore etj.
UNESCO i kushton vëmendje gjuhëve indigjene. U zgjodh si datë-simbol 21 shkurti, në kujtim të tragjedisë që ndodhi në vitin 1952: Bangladeshi ishte akoma pjesë e Pakistanit dhe disa studentë bengalezë nga Universiteti i Dacca-s u vranë, ndërsa protestonin për njohjen zyrtare të gjuhës bengale./Konica.al
“Nëse flisni me dikë në një gjuhë që ai e njeh, do t’ju kuptojë. Nëse i flisni në gjuhën e vet, do t’ju dojë”, – shprehej Nelson Mandela.
Po jetojmë në epokën e globalizmit dhe të rrjeteve sociale dhe, nëse ekziston një gjuhë zyrtare, e adoptuar dhe e njohur nga përdoruesit e internetit për të komunikuar dhe për t’u kuptuar, kjo është anglishtja. Në këtë kuptim, rëndësia e gjuhës amtare merr një vlerë të re dhe të brendshme, ne e ndiejmë atë para se të lindim, rritet dhe vigjëlon mbi secilin prej nesh, mbrojtëse dhe e lakueshme dhe me të cilën krijojmë një marrëdhënie të ndërvarur. Pra, nëse gjuhët “jetojnë” përmes folësve vendas dhe atyre jo-vendas, ato formohen dhe modifikohen çdo ditë nga ata që i përdorin ato, po ashtu ato transformojnë dhe ndryshojnë perceptimin tonë për botën. Përdorimi i një gjuhe në krahasim me një tjetër ndikon në perceptimin e hapësirës, kohës, ngjyrës, sasisë, gjinisë, duke arritur deri në ndikimin e realitetit të përditshëm, në gjykimin e mirëfilltë personal. Futja në kontakt dhe të kuptuarit e gjuhëve të ndryshme, përsëri, hap një mënyrë për të kuptuar një realitet të ndryshëm dhe për të njohur tjetrin.
“Bukuria e diversitetit gjuhësor është të na zbulojë, se sa e mençur dhe fleksibël është mendja njerëzore”.