Në aeroportin e Rinasit çdo udhëtar duhet të kalojë në procesin e kontrollit për koronavirusin. Matja e temperaturës dhe pyetësori për vendet se nga vijnë është procedura rutinë. Ndërkohë në qendrat shëndetësore dhe spitalet në kryeqytet janë shëprndarë maska për stafin mjekësor.
Çdo udhëtar i cili mbërrin në Shqipëri duhet të kalojë përmes procesit të kontrollit në aeroportin e Rinasit. Matja e temperaturës me termometër me lazer është hapi parë. Stafi mjekësor është i pajisur me doreza dhe maskë. “Për situatën që kemi ne mjaftojnë dorashkat, termometri dhe maskat që i kemi cilësore.” Procesit të kontrollit nuk mund ti shpëtojnë as personeli i linjës së fluturimit.
Në rast se ndonjë pasagjer dyshohet se është i prekur nga koronavirusi, atëherë ai mbahet në karantinë në aeroportin e Rinasit deri sa të bëhet transferimi në ambientet e tjera të licencuara nga Ministria e Shëndetësisë. “Merren nga zona këtu dhe shoqërohen në dhomën e karantinimit”. Ndërkohë në qendrat shëndetësore në Tiranë të premten dhe të shtunën janë shpërndarë maska kirurgjikale për çdo anëtar të stafit mjekësor.
Në poliklinikën e specialiteteve nr 3 ka pasur edhe të dyshuar si të prekur nga koronavirusi. “Ministria na ka sjellë sasi të konsdierueshme. Raste të dyshuara kemi pasur dy dhe kanë dalë negative”. Poliklinikat, ambulancat dhe spitalet kanë edhe një kujdes të veçantë sa i përket dezinfektimit të pajisjeve mjekësore. Në farmacitë e kryeqytetit vijon të ketë mungesa të theksuara sa i përket maskave dhe dezinfektantëve, por siç thonë farmacistët prej ditësh tashmë ka rënë fluksi i qytetarëve të interesuar për tu pajisur me këtë paketë të produkteve mbrojtëse nga koronaviruasi.