MENU
klinika

Sa më shpejt!

Bëjeni vaksinën kundër gripit!

28.09.2018 - 17:59

Gripi i vitit të kaluar në SHBA, ka qenë shkaktar vdekje më shumë se të gjithë gripërat për të paktën katër dekadat e fundit, duke shkaktuar vdekjen e rreth 80.000 amerikanëve.

Aq e vërtetë është kjo sa në rrethet mjekësore është quajtur edhe “Influenca apo ripi vrasës”, tha kreu i Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve Infektive në SHBA, të martën vonë në një intervistë për “Associated Press”.

Ndërsa vjeshta sjell një sezon tjetër të gripit të këtij viti, drejtori, Dr Robert Redfield i tha Associated Press: “Unë do të doja shumë që këtë vjeshtë të shihja më shumë njerëz që të vaksinohen”.

Ai rekomandon që të gjithë personat, me moshë mbi 6 muaj të aplikojnë vaksinën kundër gripit. Gripi i vitit të kaluar i befasoi ekspertët e fushës së mjekësisë jo vetëm për faktin që ishte shumë i ashpër, por i befasoi edhe me numrin e lartë të vdekjeve.

“Kjo situatë që ndodhi i kalon kufijtë e asaj që prisnim”, i tha Associated Press, William Schaffer, Ekspert i Vaksinave në ‘Universitetin Vanderbilt’ në “Nashville”.

Ai tha se 80.000 vdekje janë më shumë se dyfishi i numrit të pritshëm në një sezon të keq gripi.

Në vitet e kaluara, numri vjetor i vdekjeve nga gripi ka shkuar nga 12,000 në 56,000 vdekje”, tha përfaqësuesi i Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve Infektive në SHBA.

Sezoni i gripit 2017-2018 u karakterizua nga dy faktorë:

Ishte lloji i gripit që goditi shumë të rinj dhe të moshuar të cilët e kaluan atë në një gjendje veçanërisht të vështirë;

Një përputhje e dobët midis këtyre shtameve dhe atyre që përfshiheshin në vaksinën e gripit.

“Megjithatë, edhe pse efekti i vaksinës së gripit ishte relativisht i dobët, ajo ndoshta shpëtoi shumë jetë”, thonë ekspertët e Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve Infektive në SHBA, kështu që të gjithë njerëzit duhet të përfitojnë nga mbrojtja që jep vaksina dhe ta ribëjnë atë përsëri këtë sezon.

Gripi zakonisht vret edhe duke shkaktuar sëmundje të tjera vdekjeprurëse që janë zakonisht komplikacione të gripit të tilla si pneumonia, insulti cerebral dhe sulmi në zemër.

Po t’i referohemi historisë mjekësore gripi më i rrezikshëm, që mbetet rekord, është ai i pandemisë së vitit 1918, kur mendohet se kanë vdekur mbi 500,000 amerikanë.

Sa për sezonin e ardhshëm, përfaqësuesi i Qendrës për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve Infektive në SHBA thotë se, “Deri më tani, të paktën, gripi qarkullues duket të jetë më i butë dhe ka shenja paraprake që shtamet e vaksinës dhe ato të gripit kanë ngjashmëri dhe kjo premton që efekti i vaksinës do të jetë i mirë”.

“Ne nuk e dimë se çfarë do të ndodhë, por po shohim më shumë shenja inkurajuese këtë fillim vjeshte sesa kemi parë në fillim të vitit të kaluar”, tha eksperti për gripin Dr Daniel Jernigan.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN