Katër gola në katër ndeshjet e fundit. Myrto Uzuni ka rigjetur formën e tij më të mirë në momentin e duhur për skuadrën e Lokomotiv Zagreb. Sulmuesi shqiptar është bërë protagonisti kryesor i skuadrës së tij që nga fillimi i muajit shkurt dhe sot ka tundur përsëri rrjetën në kampionat, në përballjen e fituar 3-0 ndaj Slaven Belupo.
Sulmuesi i përfaqësueses shqiptare hapi serinë e golave në minutën e 59’ të ndeshjes që ekipi i tij më pas e dominoi lehtësisht duke pasur në fushë edhe shqiptarët e tjerë: Mersinaj, Çokaj, Tuci e Kastrati.
Kjo fitore i mundësoi Lokomotiv Zagreb që të përforconte vendin e katërt në renditjen e kampionatit, i cili siguron pjesëmarrjen në Ligën e Europës në edicionin e ardhshëm. Goli shtatë për këtë sezon për Uzunin.