Publikohet historia e panjohur të përkthyesit të njohur, Robert Zhvarc, i cili në vitin 1945-së bashkë me gjyshen e tij shkonin në burgun e Tiranës, për t’i dërguar ushqime, gjyshit të tij, Johamit, që mbahej i arrestuar dhe vdiq aty në rrethana të panjohura. Dëshmia e Genc Kokës, (i biri i kolonelit zogist, Sami Kokës, që vuajti 30 vjet në burgjet e regjimit komunist të Enver Hoxhës), për historinë e grupit të shokëve të tij të gjimnazit të Tiranës, ku bënin pjesë edhe Amik Kasaruho, Vasil Melo, Emil Totozani, Triumf Nepravishta, Milto Dado dhe Qemal Jusufati, të cilët u arrestuan nga Sigurimi i Shtetit, pasi shtypën disa trakte dhe ua dhanë shokëve të tyre, Guljelm Paci, Ndoc Ljarja, Petro Konomi dhe Filip Alina, për t’i shpërndarë në qytetin e Shkodrës. Si u arrestua Robert Zhvarc dy herë nga Sigurimi i Shtetit, duke e rrahur te “Shtëpia me gjethe” dhe te “Selvija”, ku e “peshuan për veshësh”, që të tregonte pjestarët e grupit, por ai…?!
Asnjë nga miqtë e ngushtë të ish-përkthyesit të njohur dhe njeriut fisnik që ndërroi jetë në vitin 2003, nuk e ka ditur faktin se ai ka qenë arrestuar dy herë nga Sigurimi i Shtetit, në 1946-ën dhe 1950-ën. Zhvarci nuk e ka përmëndur kurrë këtë fakt, ai nuk fliste kurrë për veten e tij. Këtë e bën publike duke dëshmuar për herë të parë një nga shokët e ngushtë të tij që nga koha e fëmijrisë. Genc Koka, në dëshminë eksluzive për Memorie.al, na rrëfen anën e panjohur të njërit prej përkthyesëve më të njohur të Shqipërisë, që në gjallje të tij, nuk pranoi kurrë të fliste për vete?!
Kush është njeriu që dëshmon për Zhvarcin?
Kush është Genc Koka dhe cila është e kaluara e njeriut që bën publike faktin e panjohur të arrestimit nga Sigurimi i Shtetit të ish-përkthyesit të njohur Robert Zhvarc, i cili është ndarë nga jeta në vitin 2003? Origjina e familjes Koka është nga Delvina por Genci u lind në qytetin italin të Torinos në majin e vitit 1933, pasi babai i tij, Sami Koka, një ushtarak i lartë i Monarkisë së Zogut, ndiqte studimet në Institutin e Lartë të Luftës. Në tetorin e vitit 1944, kur akoma nuk kishte mbaruar Lufta, babai i Gencit, Samiu, u arrestua nga komunistët dhe pasi u mbajt disa kohë në hetuesi, në marsin e 1945-ës u dënua me 25 vite burg nga Gjyqi Special. Pasi mbaroi shkollën Teknike (7 Nëntori) në degën Elektrike, Gencin e dërguan në Bulqizë ku punoi për shumë vjet si gjeometër. Ai arriti të mbaronte me korespodencë dhe me shumë peripeci shkollën e lartë për Kimi-Industriale, (si i deklasuar diplomën ia dhanë vetëm në 1979-ën) më pas e emëruan inxhinier në Fabrikën e Tullave në Vorë. Në tetorin e vitit 1990-të, me garancinë e të vëllait, Pëllumbit, që jetonte në SHBA-ës që nga viti 1944, Genci së bashku me familjen e tij shkuan në Itali dhe më pas në SHBA.
Zoti Koka, kur jeni njohur për herë të parë me Robert Zhvarcin?
Me Bertin jam takuar në vitin 1944, kur familja ime banonte në Rrugën e Durrësit, në atë godinë që më pas u bë selia e ambasadës jugosllave. Aty përballë nesh në atë kohë banonte dhe Emil Totozani, i cili ishte shok i ngushtë i Bertit dhe ai më prezantoi për herë të parë me të. Në atë kohë jam takuar për herë të parë me Bertin, por miqësia jonë u lidh më shumë në fillimin e vitit 1945-së kur unë me nënën time, shkonim për t’i çuar ushqimet babait, Samiut, në burgun e vjetër të Tiranës. Në atë kohë ashtu si unë, edhe Berti shoqëronte gjyshen e tij për t’i çuar ushqimet, gjyshit të tij, Joham Zhvarc, i cili ishte arrestuar për politikë dhe vdiq aty në burg në rrethana të panjohura.
Ku dhe me kë banonte Zhvarci në atë kohë që e keni njohur ju?
Në kohën e pushtimit gjerman Berti banonte diku aty në rrugën “Bogdani” dhe pas arrestimit të gjyshit të tij, Johanit, i cili vdiq në burg, ai jetonte vetëm me gjyshen e tij, e cila dhe e kishte rritur. Të gjithë ne shokët e ngushtë të tij, e dinim se ajo ishte nëna e tij dhe faktin se ajo ishte gjyshja, e kemi mësuar shumë vonë.
Kush ishte tjetër në rrethin tuaj shoqëror në atë kohë që jeni njohur me Zhvarcin?
Përveç Emil Totozanit që thashë më lart, në rrethin tonë shoqëror bënin pjesë dhe Amik Kasaruho, Vasil Melo, Milto Dado dhe Triumf Nepravishta. Atë kohë që ne banonim në Rrugën e Durrësit, në shtëpinë tonë erdhi dhe Amik Kasaruho, i cili ishte nipi i të zotit të shtëpisë, Dr. Qemal Jusufatit dhe aty jam njohur për herë të parë edhe me Amikun. Ndërsa Emili me Vasil Melon, banonin përballë nesh. Unë, Roberti, Amiku, Milto e Triumfi, në vitin 1945 ishim në një klasë, në të VI-ën (e para unike) aty ku sot është Fakulteti i Shkencave të Natyrës. Pasi mbaruam shkollën unike, ne të gjithë si grup shokësh filluam shkollën Teknike, (Politeknikumi 7 Nëntori). Roberti e Amiku ishin në degën Mekanike, ndërsa unë me Vasil Melon, (apo Bilin siç e thërrisnim ne), në degën Elektrike. Ne mblidheshim shpesh në shtëpinë time apo të Amikut dhe ndërmjet të tjerash diskutonim edhe për probleme politike, duke folur hapur kundra regjimit në fuqi.
A kishit kryetar grupi?
Nuk është se kishim zgjedhur ndonjë kryetar, por Amiku ishte si të thuash ai rreth të cilit ne mblidheshim.
Çfarë flisnit konkretisht dhe nuk kishit frikë se mund të tregonte ndonjëri prej jush?
Bisedat tona ishin nga më të ndryshmet, p.sh. Amiku na thoshte se: Shqipëria duhet të lidhet më shumë me anglo-amerikanët dhe jo me sovjetikët e jugosllavët. Ndonëse nuk i përkisnim të gjithë të njëjtës shtresë shoqërore, pasi Vasil Melo me Emil Totozanin kishin prejardhje komuniste, miqësia jonë ishte aq e forte, sa nuk e çonim kurrë nëpërmënd se ndonjëri prej nesh mund të tregonte.
Grupi juaj mbeti vetëm në kuadrin e bisedave kundër regjimit, apo patët ndonjë veprimtari konkrete?
Pasi e konsoliduam grupin dhe ishim të sigurtë që askush nuk fliste, Amiku shtypi një trakt, të cilin ia tregoi në fillim vetëm motrës sime, Ritës. Në atë kohë që shtypi traktin, Amiku kishte lexuar “Garda e re” të Arkady Gaidar dhe na tha se do të hiqnim nga shkolla fotot e Stalinit, e të Titos dhe në vënd të tyre do vinim Skënderbeun e Ismail Qemalin.
A e bëtë atë veprim?
Nuk arritëm ta realizonim dot planin që kishte menduar Amiku, pasi u arrestuam nga Sigurimi i Shtetit.
Si ndodhi, kush tregoi?
Traktin e shtypur, Amiku ia dha Ndoc Larjes, për ta dërguar në Shkodër tek disa priftërinj katolikë. Nga një kopje trakti, ai u dha edhe Gyljelm Pacit, Petro Konomit dhe Filip Alinës. Nuk u muarr vesh se kush tregoi, por njëkohësisht me Ndocin që u arrestua nga Sigurimi në Shkodër, u arrestuam edhe ne në Tiranë. Kështu më 14 tetor 1949, fillimisht u arrestua Amiku dhe Vasili, teksa ishin duke shkuar në shkollë para maternitetit të vjetër. Pas tyre u arrestua Petro Konomi dhe po atë ditë u arrestova dhe unë tek Brraka, teksa po shkoja në shkollë. Pasi na arrestuan, mua dhe Vasilin na liruan pas dy-tre ditësh, duke na thënë se; do pritej një urdhër i dytë nga prokurori. Të tjerët dolën në gjyq dhe u dënuan: Amiku, me 10 vjet, motra ime, Rita me 10 vjet, Petro Konomi me 6 vjet dhe Ndoc Larja me 3 vjet. Akuza ndaj tyre ishte: “Aktivitet kundra regjimit dhe propagandë kundër Bashkimit Sovjetik e Jugosllavisë”.
Si shpëtuat ju dhe Vasil Milo pa u dënuar?
Mua dhe Vasilin na shpëtuan shokët duke thënë se nuk na kishin treguar për traktin. Për mua kishin thënë se isha llafazan dhe kishin frikë të më tregonin pasi llapja shumë, kurse për Vasilin se kishte familje të lidhur me komunistët.
Po Zhvarci nuk u arrestua?
Berti nuk u arrestua, pasi atë e mbrojtën të gjithë, duke thënë se nuk i kishin treguar, por për ta përjashtuar nga shkolla, e përjashtuan bashkë me mua e Vasilin, me motivacionin: “Qëndrim jo i mirë politik dhe sjellje kundra rregullave të shkollës sonë”. Me këtë motivacion ne nuk “puthnim” dot në asnjë shkollë të republikës. Në fakt Berti ishte arrestuar njëherë që në 1946-ën, kur ishte duke bërë gjimnastikën e mëngjezit në shkollë aty tek Shallvaret.
Si ndodhi, përse e arrestuan?
Unë isha prezent kur e arrestuan, pasi i gjetën një distinktivë të shqiptarëve të Amerikës, të cilën ia kishte dhënë gjyshi i tij Johani. Bertin e mbajtën 24 orë tek “La Bastia” (Shtëpia me gjethe e Dr. Bashos) duke e rrahur dhe duke e bështyrë. Siç më tregoi vetë Berti kur doli, atë e kishin marrë në pyetje duke i thënë se ku e kishte gjetur, atë distiktivë, etj.
A fliste Zhvarci kundër regjimit komunist të Enver Hoxhës?
Berti fliste shpesh kundër regjimit komunist në fuqi. Ai ishte një njeri shpirtmadh dhe nuk pajtohej me dhunën e atij regjimi. Berti shkruante mrekullira dhe na i jepte për t’i lexuar, por ato i ndërpreu, pasi u arrestuan shokët e grupit.
Pasi iu përjashtuan nga shkolla, ç’farë bëtë?
Unë me Vasil Melon shkuam në Uzinën “Enver” për të kërkuar punë, duke i treguar të vërtetën se si na kishte ndodhur, por nuk na pranuan. Shefja e kuadrit qeshi dhe na tha: “Dhe doni të filloni punë këtu”?! Ndërsa Berti filloi punë si daktilografist i shkrimtarit Drago Siliqi, duke u paguar si privat në mos gaboj nga Lidhja e Shkrimtarëve. Zhvarci punonte 12 deri 14 orë në ditë, duke shtypur me një makinë shkrimi “Oliveti” të cilën e kishte të vetën private.
Pas arrestimit të shokëve tuaj, ju që shpëtuat a e mbajtët shoqërinë dhe a shkuat ndonjëherë në burg për t’i parë ata?
E mbajtëm shoqërinë dhe nuk u ndamë asnjëherë. Unë, Berti, Vasili e Milto Dado, takoheshim dhe flisnim pa frikë me njeri-tjetrin, njëlloj si më parë. Berti me Vasilin shkuan nja dy herë në burg dhe e takuan Amikun, ndërsa unë nuk shkova dot asnjëherë, pasi më larguan nga Tirana. Pasi doli nga burgu, Amiku, qëndroi vetëm pak orë në shtëpinë e tij dhe vajti menjëherë tek Berti. Amiku aty e kishte qëndrën e tij, tek shtëpia e Bertit.
A pati Zhvarci më probleme me Sigurimin e shtetit?
Bertit nuk ia ndanë asnjëherë problemet me Sigurimin e Shtetit, pasi ai ishte gjithë kohën nën survejimin e tyre. Vetëm pak kohë pas arrestimit të grupit tonë, në marsin e vitit 1950-të, një nënkolonel i Sigurimit të Shtetit (Bektash B., vrau veten më vonë) e arrestoi Zhvarcin, teksa ai ishte duke shkuar në shtëpi dhe e dërgoi tek “Selvija”, në rrugën e Dibrës, ku ishte qëndra e Sigurimit të Shtetit.
Sa kohë e mbajtën Bertin aty?
E mbajtën vetëm 12 orë aty, duke e rrahur dhe siç më tregoi vetë e kishin peshuar nga veshët.
Përse e kishin arrestuar Zhvarcin dhe për çfarë e kishin pyetur?
Bertin e arrestuan si pjestarë të grupit tonë dhe për 12 orë që e mbajtën aty, e kishin pyetur për Amikun, për mua, për veprimtarinë e grupit etj. Por ai nuk tregoi asgjë se ndryshe, do të na kishin arrestuar edhe ne që shpëtuam. Pas kësaj Bertin e kishin vazhdimisht në shënjestër dhe donin ta arrestonin, sepse ai hidhte batuta kundër regjimit. Përveç kësaj Bertin e kishin halë në sy, sepse ai ishte i vetmi në atë moshë që mbante kapele republike dhe e konsideronin si borgjez.
Sa kohë vazhdoi shoqëria juaj me Zhvarcin?
Deri sa kishte frymën gjallë. Vetëm pak orë para se të ndërronte jetë, edhe pse ishte në një gjëndje të rëndë, ai më telefonoi mua në SHBA dhe më pyeste për shëndetin, (sepse edhe unë vuaj nga zemra). Ky ishte Berti, një njeri me zëmër të madhe, që i tillë mbeti deri në fund të jetës./Memorie.al/