MENU
klinika

Magjia Markes

“100 vjet vetmi” sërish shqip… prej origjinalit

19.05.2019 - 13:27

   Përkthyer mjeshtërisht nga Robert Shvarc më parë, “100 vjet vetmi” (“Cien años de soledad“), së fundmi flet shqip, kësaj here nga origjinali. Mira Meksi e shqipëron nga spanjishtja kryeveprën që shënoi për autorin, kulmin e realizmit magjik, si gjini letrare.

 

“Shumë vjet më vonë, përballë togës së pushkatimit, kolonel Aureliano Buendía-s do t’i kujtohej ajo pasdite e largët, kur i ati e çoi të shihte akullin…” – kështu e nis rrëfimin e tij në kohë, Markesi.

 

 

Shekulli XX është tabloja shumëngjyrëshe që i jep jetë ngjarjeve nga ato më të jashtëzakonshmet. Familja Buendía-Iguarán, i rrotullon ngjarjet mes fantazisë, tragjedive, incestit, tradhtisë, rebelimit, zbulimit, apo ndëshkimit, që simbolizon paralelisht mitin dhe historinë, tragjedinë dhe dashurinë universale.

Historia e librit më të famshëm të Markesit, ka marrë shkas për ngjarjet në romanin e tij më të njohur, nga një udhëtim me të ëmën Aracataca, në fshatin e lindjes. Ka qenë marsi i vitit 1952 dhe mbase, në mendjen e shkrimtarit, pikërisht atëherë kishte lindur Macondo. Hija e gjyshit, si figura më e rëndësishme e jetës për Markesin, e ndihmoi atë të hasej me fantazmat e shtëpisë ku kishte kaluar fëmijërinë, për të krijuar magjinë si realitet…

 

 

“Njëqind vjet vetmi” janë vitet e shkëlqimit dhe rënies së familjes Buendia dhe fshatit Macondo. Fshati në zemër të Kolumbisë, është themeluar nga kjo familje. Gjashtë brezat, në vepër gërshetohen në një dimension që i ndërthur dhe i vendos në një vend krejt të veçuar nga bota, jashtë realitetit. Nga kryeplaku i familjes dhe themeluesi i fshatit Macondo, Josè Arcadio Buendia, deri te fëmija i fundit, me të cilin romani përfundon, kalon një shekull, një shekull i magjishëm e mistik. Nga martesa e Josè Arcadio-s me kushërirën e tij Ursula, gjashtë brezat pasardhës jetojnë nën presionin e supersticionit dhe frikës, për fëmijë me bisht derrkuci…

Të pakta janë çastet e lumtura në jetën e Mocando-s, shpesh i trazuar nga lufta civile, lulëzimi ekonomik, shfrytëzimi, katastrofat natyrore dhe shkatërrimet nga dora e njeriut. Jeta që pasqyrohet në roman, nuk është vetëm ajo e fshatit, por e gjithë Amerikës Latine. Personazhet e historisë janë të shumtë: nipër, fëmijë, vëllezër, me pikëllimet e brengat, ndryshimet e brezave, fantazitë e papërmbushura, vitalitetin e burrave dhe mençurinë e grave të Macondos. Derisa arrijmë në fund të romanit, ku gjithë fshatin e fshin nga faqja e dheut një ciklon tropikal.

 

 

Sigurisht, atutori ka thënë shumë përmes magjisë së kësaj vepre. Markes, tregon sesi vetmia është bashkudhëtarja besnike e njeriut, që e ndjek atë hap pas hapi; një njeri që lufton për mos arritur pastaj në asgjë, por për t’u gjetur sërish në fillim… Koha dhe faktet përsërisin njëra-tjetrën, duke u dhënë jetë karaktereve të degraduara të personazheve, të cilët po vetë, bëhen pengesë për çdo përmirësim.

Një realitet përmes fantazisë, mes të vërtetës dhe legjendës, që i përket një fshati të harruar nga bota. Vepra e ka veçuar Markesin, si një pararendës të realizmit magjik në letërsinë latino-amerikane dhe atë botërore, të shekullit XX. Stili, gjuha, intuita dhe mjeshtëria e autorit, domosdo që do t’i dhuronin pa asnjë rezervë atij, një “Nobel” të padiskutueshëm, më 1982./Konica.al

Nga: Hera Lera

 

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


"Njëqind vjet vetmi" flet spanjisht

Netflix zgjedh realizmin magjik

“Nuk besoj në Zot, por ia kam frikën Atij”

Markez, babai i realizmit magjik