MENU
klinika

Historia e ditës së gruas

Sot 8 Marsi, festë dhe protestë

08.03.2020 - 09:30

Sot është 8 Marsi, Dita Ndërkombëtare e Gruas, e cila u shënua fillimisht në Shtetet e Bashkuara.

Në këtë ditë protestohet dhe festohet në shumë vende të botës. Në Shqipëri kjo datë është kthyer më shumë se një ditë proteste, në një simbol të veçantë për nënat dhe vajzat, të cilat ndihen të privilegjuara.

Ato marrin dhurata nga fëmijët apo bashkëshortët, në shenjë mirënjohje dhe respekti. Kjo ditë shërben jo vetëm për bashkimin e grave, por edhe për të kujtuar përpjekjet për barazi, paqe dhe drejtësi. Në Tiranë në orën 11:30 është paralajmëruar një marshim nga drejtoria e Policisë drejt Kryeministrisë nga vajzat dhe gratë.

Dita e Gruas u vendos fillimisht në përkujtim të demonstratës së grave punëtore në Nju Jork. Por përfundimisht, 8 Marsi u vendos si Dita Ndërkombëtare e Gruas, pas tragjedisë së 25 marsit 1911 në një fabrikë po në Nju Jork, ku zjarri i rënë në një fabrikë ku punonin vetëm gra shkaktoi 146 viktima, shumica e tyre emigrante.

Tragjedia shënoi ditën në të cilën gratë përveçse festojnë, edhe protestojnë për të kërkuar më shumë të drejta dhe barazi gjinore në të gjithë botën.

Kryeministri Edi Rama e ka nisur ditën e sotme me një meszh për gratë. Ai thotë se vajzat dhe gratë janë gjysma me e mirë e këtij populli.

“Mirëmëngjes me një urim të përzemërt të gjitha grave e vajzave shqiptare, që janë gjysma me e mirë e këtij populli”, shkruan Rama.

Edi Rama ka publikuar edhe shifrat e grave në të gjitha qeveritë shqiptare ndër vite që nga 1991, ku rezulton se sot janë 50% me 50% në kabinetin që drejton.