Ndërsa në vendin tonë janë tashmë 10 raste të konfirmuara me koronavirus, një nga rastet më të rënda është ai i regjistruar në spitalin e Durrësit, që tregon për një skenar njësoj si në Itali, ku një paciente e vetme mund të ketë infektuar 30 mjekë dhe infermierë por edhe pacientë të tjerë.
Bëhet me dije se e moshuara u paraqit në spitalin e Durrësit më datë 3 mars dhe u shtrua në patologji për probleme të rënda me frymëmarrjen. Gruaja kishte ardhur nga Bolonja, një nga zonat e prekura në Itali, ka zbritur në aeroportin e Rinasit dhe më pas ka udhëtuar drejt Durrësit, por një fakt të tillë nuk ua kishte treguar mjekëve.
Pas 3 ditësh pasi ishte kthyer nga Italia ajo është ndjerë keq dhe ka shkuar në spital me këmbët e saj. 75-vjeçarja ka marrë mjekim për pneumoni, ndërsa pas shtatë ditësh gjendja e saj u përkeqësua. Gjatë kësaj kohe, asaj i kanë shërbyer plot 30 mjekë dhe infermierë.
Kur gjendja u përkeqësua i kanë marrë një tampon për koronavirusin dhe vetëm dje ISHP-ja ka nxjerrë rezultatin pozitiv për të. Burime nga spitali thanë se gruaja u izolua në reanimacion dhe ndodhet në gjendje terminale.
Pas daljes së rezultateve mjekë dhe infermierë në këtë spital janë alarmuar. “E kuruam, i bëmë gjilpëra, kemi pasur kontakt me të”,- thonë ata.
Ndërkohë që në dhomë me të kanë hyrë edhe shumë familjarë të pacientëve të tjerë. Familja e një pacienti tjetër ka shkuar vetë ne karantinën e Infektivit për të bërë analizat, të shqetësuar. “I kemi shërbyer asaj tamam si gjyshes sonë, ndjehemi të frikësuar”,- thonë ata.
Mësohet gjithashtu se i gjithë stafi që i ka shërbyer të moshuarës i është nënshtruar analizave përkatëse, rezultatet e të cilave pritet të dalin sot. Në një situatë të tillë ku numri i të infektuarve mund të jetë i lartë nga Spitali i Durrësit nuk ka asnjë reagim.