Në një seancë të jashtëzakonshme, ku u debatua për raportet Kosovë-SHBA, Kryeministri Kurti akuzoi Presidentin Thaçi se “ka marrëveshje sekrete me Vuçiqin”, e cila do të nënshkruhej “menjëherë pas heqjes së tarifës”.
Debate të ashpra u zhvilluan në Parlamentin e Kosovës në një seancë të jashtëzakonshme, të mbajtur me kërkesë të Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në opozitë. Kjo parti akuzon qeverinë dhe Kryeministrin Albin Kurti, për “përkeqësim të raporteve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.
Seanca e jashtëzakonshme u thirr pas një postimi në twitter nga Donald Trump Junior, djali i presidentit të SHBA-së Donald Trump, i cili mbështeti një deklaratë të senatorit amerikan, David Perdue. Ky senator ka kërkuar që “në rast se Kosova nuk e shfuqizon tarifën ndaj Serbisë dhe nuk është e përkushtuar për paqen, atëherë SHBA-ja duhet të rishqyrtojë praninë e saj në Kosovë”. SHBA, përmes të ngarkuarit amerikan në dialogun Kosovë-Serbi, Richard Grenell, po kërkon heqjen e tërësishme të tarifës ndaj mallrave të Serbisë për t’i hapur rrugë dialogut dhe zhvillimit ekonomik. Kryeministri Kurti e ka refuzuar këtë dhe ka propozuar heqje graduale të tarifës ndaj mallrave serbe. E nëse Serbia nuk reflekton, atëherë t’i vendoset asaj masa e plotë e reciprocitetit. Me këtë qëndrim të Kryeministrit Kurti nuk është dakord partneri i koalicionit, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), e cila kërkon heqjen e tërësishme dhe jo të pjesshme të tarifës.
Akuzat mes Kurtit dhe Thaçit
Por, në seancën e jashtëzakonshme debati eskaloi deri në shkallën, sa Kryeministri Albin Kurti e akuzoi Presidentin Hashim Thaçi, për “marrëveshje sekrete me Presidentin serb Aleksandar Vuçiq që po duan ta jetësojnë”. Thaçi dhe Vuçiq, u takuan në Shtëpinë e Bardhë në fillim të këtij muaji.
“Nuk bëhet fjalë për heqje të tarifës e për fillim të dialogut, kjo është gënjeshtër. Bëhet fjalë për heqje të tarifës, e për mbyllje të dialogut me një marrëveshje të gatshme, midis dy presidentëve. Unë jam i bindur që ka marrëveshje të gatshme dhe ajo çfarë po kërkohet është të thyhet Qeveria e Kosovës, të thyhem unë paraprakisht si Kryeministër, në mënyrë që të marrë fuqi ai, që në emër të Kosovës në negociata sekrete, ka bërë marrëveshje që tash të gatshme do ta servojë, jo për të filluar dialog, por për të mbyllur çfarëdo mundësie për dialog”, deklaroi Albin Kurti. Nga zyra e tij, kryeministrit Kurti iu përgjigj menjëherë Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, i cili tha se “kryeministri Kurti po vazhdon gënjeshtrat dhe mashtrimet”. Presidenti e cilëson Kurtin si “frikacak dhe djallëzor, i cili, nuk po ka guxim që as ta heqë tarifën e as ta vendosë reciprocitetin”. “Po angazhohet për shkatërrimin e aleancave historike. Me paranojë flet për marrëveshje sekrete Kosovë-Serbi. Qesharake për Kosovën. Fyese dhe e rrezikshme për raportin e Kosovës me SHBA-në”, shkroi Presidenti në profilin e tij në rrjetet sociale.
Mosmarrëveshjet LDK – VV
Deutschland Serbien und Kosovo unterzeichnen Abkommen über Bau von Autobahn und Bahnstrecke (picture-alliance/dpa/S. Hoppe) Kryeministri Albin Kurti gjatë seancës plenare, pati një porosi edhe për Lidhjen Demokratike të Kosovës, duke u rikujtuar atyre se kanë ardhur në pushtet me premtimin për zëvendësimin e tarifës me reciprocitet ndaj Serbisë. Por, shefi i grupit parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, i kërkoi kryeministrit Kuti që të shfuqizojë tarifën ndaj mallrave të Serbisë. “Tarifa duhet të hiqet dhe për këtë dakordohemi të gjithë, ose një shumicë dërmuese e deputetëve. Tarifa ishte një mjet keq i përdorur dhe që na dëmtoi. Mbajtja dhe vonesat në heqjen e saj vazhdojnë të na dëmtojnë”, tha Gashi.
Nga ana e tij, Kryetari i PDK-së në opozitë Kadri Veseli, që thirri seancën e jashtëzakonshme, tha se ai “nuk e kishte besuar që kjo qeveri, vetëm pas një muaji të qeverisjes do t’i rrezikojë raportet e Kosovës me SHBA”, të cilat po kërkojnë heqjen e tarifës. Kërkesa amerikane që Kosova të heq tërësisht tarifat ndaj mallrave serbe dhe t’i hapet rruga dialogut, ka përplasë partnerët e koalicionit lëvizjen Vetëvendosja dhe LDK-së. Kryeministri Kurti ka propozuar që nga 15 marsi ta heqë tarifën vetëm për lëndën e parë që vjen nga Serbia. Por lideri i LDK-së Isa Mustafa, po kërkon që tarifa të hiqet tërësisht, ashtu siç ka kërkaur SHBA, në mënyrë që të lëvizet përpara drejt një marrëveshje finale Kosovë-Serbi me angazhimin e drejtpërdrejt amerikan. Në fund të seancës nuk u miratua dhe nuk u votua asnjë dokument. Nuk u votua për shkaqe mungese të kuorumit as një dokument i propozuar nga VV, ku kërkohet që qeveria të marrë përsipër procesin e dialogut nga duart e Presidentit.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një shkrim për gazetën gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung (FAZ), këto ditë ka shkaur se “marrëveshjet e arritura me detyrim dhe kërcënime nuk do të kenë vlerë.”/DW