MENU
klinika

Autografi i Fishtës për poetin...

Dramaturgu i njohur u bë hamall në Portin e Durrësit…

12.03.2020 - 12:58

Publikohet historia e panjohur e Hekuran Zhitit, poetit, aktorit dhe dramaturgut të famshëm me origjinë nga fshati Mëlovë e Skraparit, i cili shkroi poezitë e para dhe disa pjesë teatrale që kur ishte nxënës në shkollën “Normale” të Elbasanit, nën kujdesin dhe nxitjen e dy profesorëve të njohur të asaj shkolle, Karlo Ljarja dhe Simon Shuteriqi. Memorie.al shkruan se poezitë u vunë në skenë dhe u interpretuan po prej tij në qytetin e Elbasanit etj., dhe për të shkroi shtypi i Monarkisë së Zogut që e konsideronte një poet dhe aktor mjaft të talentuar. Qëndrimi i ekuilibruar i Hekuranit gjatë periudhës së Luftës ku ai kishte miqësi të ngushtë si me forcat nacionaliste të Ballit Kombëtar ashtu dhe me ato komuniste dhe poema e tij “Përqafimi i dy kundërshtarëve” ku bënte thirrje për pajtim dhe për t’i dhënë fund luftës vëllavrasëse, gjë e cila i kushtoi shtrenjtë, pasi përveçse i arrestuan dhe i vranë në tortura në qytetin e Beratit njërin nga vëllezërit që kishte qenë partizan, e arrestuan dhe torturuan edhe vetë Hekuranin.

Persekutimi i gjatë nga regjimi komunist duke mos i dhënë mundësinë e botimit edhe pse atë e thirrën për të themeluar Estradën profesioniste të qytetit të Lushnjes, ku nuk e lanë të punonte gjatë, duke e dërguar të punonte si hamall në Portin e Durrësit dhe Ndërmarrjen Komunale të atij qyteti, si punëtor në shtrimin e mirëmbajtjen e rrugëve, ku ndërroi jetë në vitin 1989, i verbuar, pasi më parë i kishin arrestuar dhe dënuar me dhjetë vjet burg, të birin, Visarin
Shtëpia e madhe trekatëshe e Zhitëve, gjendet edhe sot në fshatin Mëlovë, në thellësi të maleve të Skraparit. Ndonëse jo me shkëlqimin e saj të dikurshëm, ku mblidheshin burrat më me emër të asaj krahine, ajo qëndron ende aty, por tashmë pa njerëzit e saj që e bënë të njohur dhe i dhanë emrin deri larg në periferitë e Selanikut, në Greqi. Rreth 120 hektarë tokë në fshatin grek Millovo të Selanikut, kanë qenë pronë e kësaj familjeje, e cila deri në periudhën e Monarkisë së Mbretit Zog, i ka marrë rregullisht qeranë. Ndërmjet shumë burrave të shquar që bujtnin në konakun e madh të Hasan Zhitit, që nga koha e Pavarësisë, ka qenë dhe plaku patriot Sali Butka, shtëpi në të cilën ka shkruar pjesën më të madhe të poezive të tija. Plaku Hasan, patriot e bektashi, ndonëse vetë jo shumë i shkolluar, u kujdes që shkolla të mos i mungonte fëmijëve të tij. Kështu, tre djemtë e tij, mbaruan në “Normalen” e Elbasanit dhe në Liceun e Korçës, të cilat njiheshin dhe ishin ndër shkollat më të lakmuara të asaj kohe.

Hekurani, “Normalist” në Elbasan
Hekurani, ishte fëmija i dytë nga tre djemtë e familjes Zhiti, lindi në atë fshat në vitin 1913-të dhe pasi morri mësimet e para në qytetin e Beratit, ai dërgohet me bursë shtetërore në shkollën e Elbasanit që njihet ndryshe me emrin “Normalja”, të cilën e filloi në vitin 1927. Ndërmjet shumë bashkëmoshatarëve të tij që mësonin në atë shkollë, Hekurani do të zinte një miqësi të ngushtë me Sterjo Spassen, e Simon Shuteriqin, miqësi që do ta ruanin deri në vitet e fundit të jetës së tyre. Që në fillimet e tija në këtë shkollë, Hekurani shfaqi prirje për të shkruar poezi, të cilat ja tregonte mësuesit të tij, Karlo Ljarja (babai i aktorit të famshëm Rikard Ljarja nga Shkodra), i cili e ndihmonte dhe e inkurajonte duke parë tek ai një talent që premtonte. Pasionin për të shkruar, Hekurani e kishte fituar nga babai i tij Hasani, që si bektashi adhuronte dhe njihte mjaft mirë shumë nga poemat e poezitë e Naim Frashërit (në persisht), që i kishte të gjitha në shtëpi dhe i ruanin si gjërat më të shtrenjta. Përveç prirjeve që Hekurani kishte për poezinë, ai shfaq një talent si interpretues për teatrin. Në shkollë me punën e insistimin e tij, si dhe me ndihmën e pedagogut Karlo Ljarja, ai formoi një grup teatral, i cili filloi të shfaqte pjesë të shkurtra brenda mureve të “Normales”, e më pas deri në skenat e improvizuara të qytetit të Elbasanit, ku mblidheshin me qindra njerëz. Një nga bashkëmoshatarët e tij Haki Ballshi, (ish-normalist) në kujtimet e tija ndërmjet të tjerash shkruan: “E qeshura që të ngjallte Hekurani, kishte me vete optimizmin e jetës, duke rrëzuar pikëpyetjet e kota. Ai ishte Omar Khajami ynë. Por Zhiti me humorin e tij, dinte të sillte dhe dimrin në fytyrat e atyre që anonin nga e keqja. Ai kishte një aftësi të çuditshme improvizimi, dhe hipi në skenat e kohës duke luajtur rolet kryesore. Mjafton që të shkruhej nëpër afishe se interpretonte Zhiti, e salla e kinemasë mbushej plot. Portretin e tij nëpër reklama, e shisnin hamejtë e skenës rrugëve të qyteteve, duke u bërë kështu ndoshta një nga aktorët më të njohur në gjithë Jugun e Shqipërisë. Edhe pjesët e huaja si “Martesa me pahir”, ai i adoptonte dhe i përshtaste publikut të kohës. Unë s’mund të harroj suksesin e bujshëm në Kavajë, aq sa dhe profesori ynë Vasil Andoni, që bënte punën e suflerit, s’duroi dot dhe nga gëzimi u fut në skenë. Dhe Hekurani për të mos prishur pjesën e futi në rol. “Në revistën “Normalisti” të asaj kohe (2 dhe 3 të vitit 1933), midis të tjerash shkruhej: “Gazi e të përplasunat e duarve ndigjoheshin gjithkah, pse Zhiti ja din mshehtësinë jetës… të gjithë mbetën shumë të kënaqun dhe i luteshin Zhitit që të mos harrojë dhe për vitin tjetër”.

Takimi me Fishtën
Me të ardhurat që mundën të fitonin nga shfaqjet modeste teatrale, që vunë nëpër skenat e Elbasanit dhe të disa qyteteve të tjera, nxënësit e “Normales” bënë një turne nëpër Shqipëri. Në këtë ekskursion të gjatë, që u bë me qëllime njohjeje të vendlindjes, klasa e Hekuranit shkoi dhe në Shkodër, ku u prit në një takim dhe nga poeti i njohur Padër Gjergj Fishta. Lidhur me këtë bashkënxënësi i tij Haki Ballshi, përsëri kujton: “Të magjepsur para tij, Hekurani guxoi dhe bëri shaka e Fishta e përgëzoi”. Po kështu dhe vetë Hekurani, lidhur me takimin që bëri me poetin e madhë, do të ndalej gjatë në kujtimet e tija, ku midis të tjerave shkruan: “At Gjergj Fishta na zgjati me radhë paketën. Asnjë prej djemëve nuk guxoi të merrte cigaret para pedagogëve. Unë ia mora për t’i bërë qejfin dhe i thashë: ‘Po e marr, se ma jep ajo dorë që ka shkruar atë poemë të mrekullueshme’. Nga ai takim, Hekurani do të merrte prej Fishtës si kujtim me autograf kryeveprën e tij, “Lahuta e Malcisë”, të cilën ende familja Zhiti e ruan si një nga reliket e rralla duke e konsideruar si pasurinë më të madhe që kanë ata si familje. Nisur nga talenti i madh i Zhitit dhe nga admirimi që kishin nxënësit e pedagogët e “Normales” për të, në fundin e vitit shkollor 1932, ata i dërguan një letër Mbretit Zog që ta çonte atë për studime në një shkollë teatri në Itali, gjë e cila nuk u realizua dot. Po në vitin 1932, pas vrasjes së Riza Cerovës (mikut të familjes Zhiti), Hekurani shkroi një elegji, të cilën e interpretonte vetë. Nga kjo ai u arrestua nga besnikët e Mbretit si antimonarkist por nuk mbahet gjatë dhe lirohet përsëri. Pas mbarimit të “Normales” së Elbasanit, Hekurani merr diplomën dhe emërohet mësues në Roskovec të Fierit e në fshatrat e minoritetit (Pogon), ku jep mësim për tre vjet. Hekurani gjithashtu ishte një nga intelektualët e asaj kohe që kundërshtuan pushtimin fashist të Shqipërisë. Ai shkroi një poezi për 7 Prillin, e cila për dhjetëra vjet ka qenë në librat e këndimit të klasave të ulëta, por anonime pa emrin e tij.

Shkruan poemën e famshme
Në vitet e pushtimit të Shqipërisë, Hekurani ishte mësues në Berat, ku bënte një jetë aktive intelektuale. Ai kishte një miqësi të ngushtë me profesorët Abaz Ermenji e Sejfi Protopapa, (sot fizikant në SHBA). Në atë qytet, Hekurani drejtoi jetën artistike dhe shkruante shumë në prozë, poezi dhe skeçe e pjesë teatrale që i vinte vetë në skenë. Si rrallë njeri në atë kohë, Hekurani kishte miqësi të ngushtë dhe me krerët e Ballit Kombëtar ashtu dhe me komunistët. Ai luftën në mes tyre e quante një fatkeqësi dhe tragjedi kombëtare. Ai shkonte dhe merrte pjesë në varrimet e të vrarëve që bëheshin nga të dy kampet kundërshtare, nacionalistët e komunistët, ku lexonte elegjitë që i shkruante enkas për ta. Në një rast, Hekurani ndërhyri pranë krerëve të Ballit Kombëtar në qytetin e Beratit, për të liruar një komunist, pasi kishte marrë më parë letër nga Mit’hat Frashëri. Xhandari Pjetër Gurakuqi, që i dorëzoi komunistin e kapur, kur pa letrën e Mit’hatit, iu drejtua atij: “Dëgjo Hekuran, po ta kapin partizanët Mit’hatin do ja këpusin gjuhën”. Në një nga poezitë e tija të shkruara në atë kohë, në të cilën përshkruan luftën vëllavrasëse, ai shprehet;

“…Gur e pllaka janë skuqur, faqe tokës është vaditur/
Ulurin shgab` e Tomorrit mbi fatosat që janë shtritur/
këtë gjak që kam në gji, do t’a çoni në Oqeanë/
Që ta shohë gjithë bota, sesa gjak shpien lumenjt t`anë…”.

Në atë kohë njëri nga vëllezërit e tij (Ahmeti) kishte dalë partizan, kurse Hekurani largohet prej komunistëve. Midis të tjerave, shkak për këtë u bë dhe një poemë që shkroi ai dhe që konsiderohet nga më të famshmet e asaj kohe. Kjo poemë, do të bëhej dhe shkaku i mëvonshëm i arrestimit të tij nga komunistët, titullohej “Përqafimi i dy kundërshtarëve”. Subjekt i saj ishin dy vëllezër, njeri me Ballin Kombëtar dhe tjetri komunist, që vriten midis tyre dhe ashtu pa dhënë shpirt përqafohen. Kjo poemë, konsiderohet e rrallë për atë kohë, sepse kudo që shkruhej njëra palë sulmonte tjetrën, kurse ai bën thirrje për pajtim. Kjo poemë asokohe pati një jehonë të madhe në rrethet nacionaliste dhe u botua e ribotua në shumë gazeta, si “Oshëtima e Korçës” (nr.1. shkurt 1944), “Luftëtari i Lirisë” etj. Asokohe në Berat, Hekurani shkroi me dhjetëra pjesë teatrale, ku shumë prej tyre i vuri në skenë, duke interpretuar vetë. Me shumë sukses ishin: “Krismat për Liri”, “Të falimentuarit”, “Plagët e Shqipërisë”, “Dramë për Kongresin e Lushnjes”, “Shakaxhi e batakçinj” etj. Nga kulmet e krijimtarisë së tij konsiderohet drama “Nusja memece”, ku ai interpretonte vetë rolin kryesor.

Arrestimi, vëllanë ja vrasin komunistët
Pak kohë para mbarimit të Luftës, Hekuranit i bënë thirrje që të largohej nga Shqipëria, bashkë me shumë nacionalistë të tjerë, sepse komunistët e cilësonin atë si të humbur. Ai nuk u largua, duke pasur dhe besim se nuk do ta ngacmonin, sepse vëllai i tij (Ahmeti) zbriste nga malet bashkë me të fituarit. Ai qëndroi në Berat, ku vazhdoi të shkruaj dhe pjesët e tija jepeshin nga Radio-Berati, siç quhej asokohe një qendër zëri e partizanëve. Hekurani kishte një miqësi shumë të ngushtë me Vexhi Buharanë dhe Mustafa Greblleshin, me të cilët kalonte pjesën më të madhe të kohës. Pas zgjedhjeve të para të pasluftës, Hekuranit i arrestojnë vëllanë e madh (Maksutin) që ishte mësues, duke e akuzuar si: “Të përzier me ‘Grupin e deputetëve”. Ai vdes në tortura, duke e hedhur nga shkallët e hetuesisë në Berat. Pas kësaj, Hekuranin e heqin nga puna dhe e caktojnë punëtor në një magazinë duhani. Në 1946-ën arrestohet dhe ai, e torturohet ç’njerëzisht. Atë e akuzojnë për poemën e njohur, e cila, sipas tyre, ju kishte bërë shumë dëme gjatë Luftës dhe se e kishin lënë aty me mision Abaz Ermenji e Mit’hat Frashëri. Pas një viti e gjysmë në hetuesi, e lirojnë, duke e shpallur të padëshirueshëm në Berat. Ai së bashku me gruan dhe dy fëmijët e vegjël, largohet e shkon në Durrës, ku gjen strehë në një magazinë të rrënuar dhe fillon punë si hamall në port. Por pas kësaj e mësuan dhe e hoqën nga porti, dhe ai mezi e rregullon që të punojë në komunale, duke shtruar rrugët.

Në Estradën e Lushnjes
Asokohe dy nga miqtë e Hekuranit, shkrimtarët e njohur Nonda Bulka e Petro Marko, me përkrahjen dhe të Karehman Yllit, ndërhyjnë që Hekurani të punonte tek revista “Hosteni”. Kjo nuk ju pranua, por u lejua që të punonte si mësues ne Karbunarë të Lushnjes. Në atë fshat, ai filloi të përgatiste grupet artistike, gjë e cila u bë shkas ta thërrisnin në Lushnje, ku do të hapej Estrada profesioniste e këtij qyteti. Hekurani u bë një nga themeluesit e kësaj Estrade, së bashku me Fotaq Filipeun (pianistin që kishte shoqëruar Tefta Tashko Koçon në turnetë e saja nëpër Shqipëri në periudhën e Monarkisë së Zogut), i cili sapo kishte dalë nga burgu politik. Në atë Estradë, së bashku me Zhitin do shënonte dhe fillimin e karrierës së saj artistike, e madhja Vaçe Zela, e Xhosho Vasija (aktori i njohur shkodran), i cili ishte i internuar në fshatrat e Lushnjes. Hekurani punoi si aktor profesionist pranë asaj Estrade që nga krijimi i saj në 1961-in, e deri sa e nxorrën në pension të detyrueshëm në vitin 1972, kur filloi goditja ndaj “shfaqjeve të huaja dhe liberalizmit”. Gjatë atyre viteve, ai qëndroi si në gjëmba, pasi i përmendej biografia (pas letrave anonime të shumta) dhe i kujtoheshin poezi që nuk kishin partishmëri. Ai interpretoi aty me dhjetëra role në skeçe të ndryshme, shumë nga të cilat i shkruante vetë. Gjatë një turneu në Korçë, ai tërhoqi vëmendjen e regjisorit Pirro Mani, i cili kërkoi që ta merrte në Tiranë, por nuk ishte e thënë të bëhej, pasi regjizorit të famshëm i kujtuan biografinë e njeriut që ai kërkonte. Në atë vit që e nxorën në pension, ai shkroi dramën “Kongres mbi baltë”, kushtuar Kongresit të Lushnjes, por që nuk arriti dot ta vinte në skenë. Po kështu shkrimtari i njohur Mojsi Zaloshnja, tentoi që t’i botonte librin “Magazinierët e matematikës”, por nuk e lejuan, pasi kërkohej leje nga lart, ndonëse disa poezi të tija ishin futur në librat e folklorit si anonim.

I biri, Visari, në burg politik, Hekurani vdes i verbër
Në atë kohë, kur Hekuranin e larguan nga Estrada, dy fëmijëve të tij nuk iu dha e drejta që të shkonin në universitet për të ndjekur studimet e larta. Më pas vetëm njëri nga fëmijët e tij, Visari, mundi që të mbaronte për Gjuhë-Letërsi në Shkodër. Pas largimit nga estrada, Hekurani vetëmbyllet në shtëpi i dëshpëruar. Dy djemtë ja pushojnë nga puna dhe të tretin, Visarin, që ishte mësues në një fshat të thellë në Kukës, ja arrestojnë dhe dënojnë me dhjetë vjet burg politik, pasi kishte shkruar poezi dekadente. (Gjë e cila kishte ardhur pas një shënimi që kishte bërë Ramiz Alia mbi raport-informacionin e aparatit të Komitetit Qëndror të PPSH-së ku “specialistët” kishin “zbërthyer” e analizuar poezitë e Visarit). Kjo ngjarje shënoi një goditje fatale për Hekuranin, pasi ai ishte goditur rëndë, ndoshta atje ku nuk e priste. I verbuar dhe pa ndihmë, ai ndërroi jetë në vitin 1989 nga goditjet e herpasherëshme që pësoi, ku më e rënda ishte ajo e të birit, Visarit. I konsideruar si armik, në varrimin e tij munguan përfaqësuesit zyrtarë dhe njerëzit e artit, ndërsa nga miqtë e tij të ngushtë nuk mund të mungonte kurrsesi, Fotaq Filipeu, I vetmi që pati kurajon ta përcillte Hekuranin për në banesën e fundit. Fjala e lamtumirës aty, u mbajt nga një njeri i thjeshtë, që ishte punëtor ferme. Një nga shokët e tij të vjetër (Haki Ballshi) i goditur si ai, kujtoi një nga poezitë e Hekuranit ku thuhej. “… Si të gjithë të shikoja / Pa çdo gjë do ta duroja / Ah kështu, pra qënka thënë, / të mos shoh as diell as hënë…”./Memorie.al

Për më shumë, vizitoni: www.konica.al

“Pasuria që s’e blejnë dot paratë”

Libri për suksesin e vërtetë dhe rritjen personale

Ngjarja më e rëndësishme e popullit shqiptar

Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe

Premiera “13” nën petkun e Sulejman Rushitit

“Kadare, Kuteli, Fishta…të ndërthurur në dramën bashkëkohore”

Erdhi si një mrekulli për publikun shqiptar

Marie Kraja, diva me zërin e pastërt dhe të kthjellët