MENU
klinika

BERZH bën bilancin e parë

COVID-19 do infektojë rajonin

13.03.2020 - 13:13

“Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim pret që Covid-19 të ketë ndikim në prodhimin ekonomik të vendeve të Europës lindore, Azisë qendrore por edhe të Europës juglindore, duke ngadalësuar rritjen ekonomike”, thuhet në një njoftim të vetë bankës.

Për këtë arsye, institucioni që ndihmon 38 shtete të rajonit të gjerë, kryesisht ish republika sovjetike, jugosllave, apo vende të dala nga regjime diktatoriale të stërgjatura, siç është edhe rasti i Shqipërisë, do t`i asistojë për t`u rimëkëmbur, si pasojë e impaktit të Covid-19. Ndihma do të jetë veçanërisht për kompanitë.

Institucioni huadhënës nuk specifikon asnjë shifër konkrete, duke qenë se është ende herët për të bërë bilancin e dëmeve dhe nevojave, por shprehet e gatshme të ndihmojë, kur të vijë momenti i duhur. Banka njofton se është duke përgatitur një paketë me masa për të prezantuar te aksionerët për aprovim. Pjesa më e madhe e masave do të jetë për klientët ekzistues, duke ju mundësuar likuditet emergjent afat-shkurtër, kapital, ristrukturim, etj.

BERZH sqaron ndër të tjera se vendet më të prekura do të jenë ato që janë të mirë-integruara në zinxhirin e furnizimit global dhe veçanërisht ato shtete që kanë një varësi të lartë nga Kina dhe Europa. Sektori turistik pritet të ndikohet në shumë vende të rajonit. Edhe rënia e çmimeve të naftës do të ketë impakt në vendet prodhuese në rajon, ndërkohë që remitancat pritet të bien ndjeshëm.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN