MENU
klinika

Referendumi për emrin

Maqedonia në heshtje zgjedhore, nesër votohet referendumi

29.09.2018 - 17:20

Në Maqedoni sot është heshtje zgjedhore, një ditë përpara referendumit të së dielës, ku mbi 1.8 milion qytetarë të Maqedonisë kanë të drejtën për të votuar në referendumin për emrin e ri të vendit të tyre.

Rreth 12 mijë vëzhgues vendor dhe 320 vëzhgues të huaj janë akredituar për ta ndjekur procesin e votimit. Gjatë fushatës partitë e pushtetit kanë mbajtur takime me qytetarë dhe janë angazhuar në një fushatë mediatike ku kanë shpalosur përparësitë e marrëveshjes me Greqinë për çështjen e emrit, për çfarë duhet të vendosin votuesit në referendum.

Edhe partitë shqiptare të cilat nuk janë pjesë e qeverisë, si Aleanca për Shqiptarët e Zijadin Selës, apo njëri krah i Lëvizjes “Besa”, kanë bërë fushatë duke u bërë thirrje shqiptarëve që të dalin në referndum dhe të votojnë pro për ndryshimin e emrit nga Maqedoni në Maqedoni të Veriut.

Megjithatë opozita shqiptare kërkon që pas referendumit kur të fillojë procesi i ndryshimeve kushtetuese, shqiptarët e Maqedonisë të figurojnë si element kushtetues në preambulë e jo siç është aktualisht: “pjesëtarë të një komuniteti që përbën të paktën 20 për qind të popullatës së vendit”.

Drejtues e zyrtarë të lartë perëndimorë vizituan javët e fundit Shkupin për të bindur kundërshtarët e referendumit se ndryshimi i emrit të Maqedonisë ishte kushti i vetëm për integrimin e vendit në NATO dhe BE.

Që referendumi të cilësohet i suksesshëm mbi 50% e votuesve duhet të votojnë pro pyetjes: “A jeni për anëtarësimin e vendit në NATO dhe BE duke pranuar marrëveshjen midis Republikës së Maqedonisë dhe Republikës së Greqisë?”.

Sot në Maqedoni të drejtën e votës e shfrytëzojnë personat e sëmurë, të burgosurit si dhe shtetasit që jetojnë jashtë vendit.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Faktori shqiptar të marrë përgjegjësitë

‘Referendumi dhe identiteti shqiptar në Maqedoni’

Më 30 shtator është caktuar referendumi

Tsipras: Referendumi në Maqedoni do të jetë i suksesshëm