Që prej disa javësh më parë, askush nuk do të kishte menduar se tendenca më e rëndësishme dhe më e dukshme në politikën globale të kohës sonë është të mendosh vetëm për kombin tënd. Unilateralizmi dhe logjika e “lojës me shuma zero” dukej se ishin normat e reja: “Që unë të fitoj, kam nevojë që ti të humbasësh” dhe “Unë i pari”.
Këto fraza dukeshin të pamundura në fillim të këtij shekulli.
Sot, ndërsa pandemia e koronavirusit përhapet në të gjithë botën, duke vënë në rrezik kaq shumë jetë dhe duke shkundur themelet e mënyrës sonë të përditshme të jetës, duhet të pyesim nëse kjo paradigmë ka të ngjarë të mbetet mbizotëruese.
A do të vazhdojë pandemia, apo ka mësime që duhet të mësojmë?
A mundet një virus të kundërshtojë disa nga parimet në të cilat bazohet peizazhi aktual politik global? A do të na bëjë të përqëndrohemi në ato që vërtet kanë rëndësi, në ato që bashkojnë njerëzimin, apo do të nxisë ndjenjën e frikës dhe dyshimit midis dhe brenda komuniteteve, duke na përçarë edhe më shumë? A do ta përdorim këtë krizë si një mundësi për të korrigjuar disa nga gabimet e viteve të fundit?
Kjo pandemi është duke na treguar disa gjëra me zë të lartë dhe të qartë. Nëse ne jemi të gatshëm të dëgjojmë, këto janë disa nga ato.
Së pari, ekziston bashkësia globale. Ajo që ndodh larg ka një ndikim (madje edhe atë jetik) edhe këtu. Një teshtimë në një kontinent ka pasoja të drejtpërdrejta në një tjetër. Ne jemi të lidhur, jemi një.
Së dyti, kam interes për mirëqenien e fqinjit tim. Nëse fqinji im ka një problem, është gjithashtu problemi im. Prandaj, nëse nuk kujdesem për fqinjin tim, më mirë do të kujdesem për veten. Sepse në një botë të ndërlidhur si e jona, e vetmja mënyrë efektive për t’u kujdesur për veten tuaj është të kujdeseni për të tjerët.
Së treti, nevojiten zgjidhje të koordinuara globale, dhe kjo kërkon një investim në organizata ndërkombëtare multilaterale. Nëse mendoni se mund të përgjigjeni në mënyrë efektive ndaj një krize si kjo vetëm duke miratuar masa kombëtare, ju bëni atë që në italisht quhet “të zbrazësh detin me një lugë”: shumë punë pa rezultate.
Së katërti, vendimet politike të bazuara në shkencë janë e vetmja mënyrë racionale dhe e dobishme për të vazhduar. Për fat të mirë, ne kemi investuar në shkencë për mijëra vjet.
Së pesti, shëndeti është një e mirë publike. Nuk është vetëm çështje private. Është çështje e sigurisë kombëtare, dhe madje edhe ndërkombëtare, dhe prosperitetit ekonomik. Si i tillë, ai kërkon investime publike të duhura dhe të qëndrueshme, dhe një ndjenjë kolektive të përgjegjësise.
Së gjashti, ekonomia globale ka nevojë për qeniet njerëzore. Investimi në shëndetin publik, shkencë dhe hulumtim është një investim në ekonomitë e prosperuara në të gjithë botën. Prodhimi, konsumi, tregtia dhe shërbimet kanë nevojë që njerëzit të jenë të shëndetshëm dhe të sigurt.
Së shtati, institucionet demokratike që funksionojnë mirë janë jetësore. Mënyra në të cilën funksionon vendimmarrja (ose jo) është testi përfundimtar në kohë krize.
E fundit, por jo më pak e rëndësishme, asgjë nuk është më e çmuar dhe më e vlefshme se jeta.
Çdo krizë mund të përdoret si një mundësi për të mësuar nga gabimet e së kaluarës, për të rregulluar politikat, për të ndryshuar drejtim dhe për të rregulluar gjërat që ne as nuk i pranuam se ishin shkatërruar. E gjitha varet nga ajo që individët në të gjithë botën vendosin të bëjnë, duke filluar nga ata që kanë përgjegjësi institucionale dhe politike. Por në fund të fundit, të gjithë ne do të duhet të vendosim. A do të përdoret kjo krizë për përfitime individuale afatshkurtra, apo do të jetë një “alarm” zgjimi? Nuk është idealizëm, është realizëm i pastër.
Federica Mogherini është një ish-përfaqësuese e Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme dhe Politikën e Sigurisë, ish-zëvendëspresidente e Komisionit Evropian, dhe ish-ministre italiane e Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar.
Përkthyer dhe përshtatur nga Project Syndicate/ konica.al