Qeveria ka miratuar një tjetër masë kufizuese në kuadër të planit të masave për kufizimin e përhapjes së infeksionit të shkaktuar nga Covid-19, i cili po bën kërdinë në veri të Italisë, ndërsa ka alarmuar botën. Kryeministri Edi Rama ka kufizuar orarin e punës së administratës publike deri në orën 13:00 të drekës, nga ora 16:00 që ishte deri më tani.
Sipas vendimit, zyrat e shtetit do të jenë hapur deri në drekë. Vendimi i publikuar mbrëmë në Fletoren Zyrtare ndryshon vendimin nr. 511, datë 24.10.2002, të Këshillit të Ministrave, për kohëzgjatjen e punës dhe të pushimit në institucionet shtetërore, të ndryshuar.
Gjithashtu në vendim thuhet se nëpunësit civilë dhe punonjësit e përmendur në këtë pikë, gjatë kësaj periudhe, ngarkohen të kryejnë çdo detyrë funksionale që iu ngarkohet nga eprori i drejtpërdrejtë apo titullari i institucionit, e cila mund të përmbushet në kushtet e banesës, nëpërmjet komunikimit telefonik apo të mënyrave të tjera të komunikimit elektronik.
Vendimi në fuqi deri ditën e djeshme, parashikonte që orari ditor i punës fillon çdo dite në orën 8.00 dhe përfundon ne orën 16.30, ndërsa ditën e premte fillon në orën 8.00 dhe përfundon ne orën 14.00. Ky vendim parashikon të drejtën e ndryshimit të orarit të punës me urdhër të kryeministrit, në raste të veçanta dhe për arsye objektive, por jo për një periudhë më të gjatë se 3 muaj.
Këto masa kufizuese nuk do të prekin pagën e administratës publike. Deri më tani, kryeministri ka vendosur të përgjysmojë vetëm pagën e ministrave dhe deputetëve. Disa nga deputetët nuk e kanë pritur mirë një vendim të tillë.
Gjithashtu, në kuadër të masave për kufizimin e përhapjes së koronavirusit, disa ditë më parë, kryeministri Edi Rama urdhëroi edhe ndalimin e përdorimit të makinave për të shkuar në punë për punonjësit e ministrive, bashkive e prefekturave, nga sekretarët e përgjithshëm dhe deri tek i fundit.