Deri pak ditë më parë, në çdo moment, të paktën 20 mijë avionë ishin në fluturim në të gjithë botën. Deri pak ditë më parë, sepse përhapja e koronavirusit e ka paralizuar thuajse krejtësisht trafikun ajror ndërkombëtar.
Aktualisht, përtej problemeve ekonomike të kompanive ajrore, që po reduktojnë me 80-90 për qind fluksin e fluturimeve, ka edhe një problem teknik, që deri më tani nuk ishte marrë parasysh. Dhjetëra mijëra aeroplanë janë në tokë, ndërkohë që sistemi në funksion deri pak ditë më parë, i parashikonte vetëm në ajër. Si pasojë, në tokë thjesht nuk ka më vend.
Parkimet e aeroplanëve, në aeroporte, por edhe në parkimet e parashikuara kudo në botë janë tashmë plot. Ndërsa, mjetet fluturuese që kanë gjendur vend diku, e paguajnë atë shtrenjtë. Në aeroportet evropiane, një avion mund të paguajë deri në 280 dollarë, vetëm për një orë.
Të tjera vende parkingu për aeroplanët, në disa vende të botës, sigurisht më të lira, po tejmbushen.
Aeroplanët kanë nevojë për vende që mundësisht të jenë në shkretëtirë, sepse lagështira dëmton mekanizmat e tyre. Për këtë arsye, vendet më të njohura të kësaj natyre, ndodhen në Arizona ose në shkretëtirën australiane. Mjetet, pasi pothuajse “balsamosen”, duke iu hequr karburantin, mbuluar xhamat dhe motorin mund të rrinë, duke paguar nga 50 deri 300 dollarë në muaj, sipas madhësisë.
Megjithë hapësirat e mëdha për parking, Arizona mund të mbajë deri në 800 aeroplanë, por tanimë ajo hapësirë e madhe po ngushtohet, duke shtrënguar kompanitë të ndërtojnë hapësira të reja.