Me çështjen e alfabetit janë marrë të gjithë albanologët e huaj që studiuan gjuhën shqipe. Për ta ishte diçka e domosdoshme sepse kur studionin etimologjinë e fjalës shqipe duhet ta shkruanin atë me një alfabet. Do të ishte albanologu i famshëm Martin Lik që do të shkruante dhe një alfabet të vet të gjuhës shqipe. Edhe Pukevili do krijonte një fjalor duke përdorur alfabetin e frengjishtes.
Por ngjarja më e rëndësishme do ishte alfabeti i parë i Dhiatës së Re, i vitit 1827 që ishte një bashkëpunim i frytshëm mes shqiptarëve të kulturuar dhe anglezëve. Dhe në fakt ai ishte një variant i mirë për shqipen.
Më 1835 Psilander ka botuar një libër mbi gjuhën shqipe dhe në librin e tij ka botuar një Ungjill të plotë duke shfrytëzuar pikërisht alfabetin që u krijua më 1827-ën.
Johan Fon Han që është një njeri i rëndësishëm për kulturën shqiptare vajti në Janinë si konsull i austriakëve. Ai shkoi aty për çështjen e tregtisë dhe meqënëse aty disa vite më parë kishte qenë Pashallëku i Janinës pjesa më e madhe e tregtarëve ishin shqiptarë dhe që në fillim ai ndeshi një vështirësi të madhe se si do të merrej vesh me ta dhe u tha autoriteteve të vendit se kishte dëshirë të mësonte shqipen. Mënyra më e mirë ishte të frekuentonte gjimnazin “Zosimea”. Ata i rekomanduan Kristoforidhin dhe Panajotin.
Studiuan “Dhiatën e re” të Vangjel Meksit dhe Grigor Gjirokastritit dhe për tre vjet punuan për bazën e kësaj dhiate dhe e morën fjalë për fjalë. Në këtë mënyrë Kristoforidhi mësoi përkthimin e Dhiatës se Re dhe më pas vazhdoi karrierën e tij brilante. Hani e zbatoi këtë alfabet dhe në studimet e tij të çmuara.
Po në të njëjtën kohë u mor me çështjen e prejardhjes së gjuhës shqipe një nga gjuhëtarët më të mëdhenj të shekullit 19 që ka qenë Franc Bopi. Në 1854 ai botoi një libër të rëndësishëm ku vërtetoi që shqipja është gjuhë indo-evropiane.
Ksilandri, Hani, Mayeri ndoqën vijën e studiuesve të tjerë dhe në fjalorin që ato përdorën për gjuhën shqipe kryesisht kanë pasur si bazë studimet e Kristoforidhit.
Ajo që mund të thuhet është se këta albanologë evropianë dhanë një kontribut të çmuar dhe ishin mbështetësit kryesorë që çuan në Kongresin e Manastirit ku u hartua alfabeti shqip.