MENU
klinika

"Nuk na përgjigjet kush"

Qytetarët në Lezhë dalin nga shtëpia edhe pa leje

30.03.2020 - 10:21

Qytetarët në Lezhë, mes tyre dhe të moshuar kanë dalë nga shtëpitë sot për të kryer shërbimet e tyre të nevojshme edhe pa lejen e policisë e cila është vendosur kusht në paketën e masave kundër përhapjes së koronavirusit. Ka prej tyre që thonë se nuk dinë të aplikojnë e të tjerë që thonë se nuk kanë marrë përgjigje edhe pse kanë aplikuar prej dy ditësh.

Një qytetar thotë se nuk ka pasur asnjë interesim nga Bashkia edhe për ata të moshuar që jetojnë vetëm.

“Kam bërë aplikimin, në mënyrë absolute nuk më përgjigjet kush. Kam bërë dhe një mesazh, akoma nuk më kanë kthyer përgjigje. Kam dy ditë që e kam bërë këtë punë.

Kam dalë sepse kam shumë nevojat e mia personale. Nuk jam pensionist. Kam dalë të marr disa gjëra që më duhen. Më mbaron një raport mjekësor. Ilaçet nuk mi bie kush, se është ndërprerë rruga nga Itali. Këtu thonë nuk t’i rimbursojmë këto që merr në Itali. Një shtet tjetër mundohet për mua, shteti im nuk çan kokë fare. Bashkia e Lezhës nuk ka ardhur fare, mirë tek unë, por tek të tjerë që janë të vetmuar. Të lutem shumë Bashkia e Lezhës lëvizni nga vendi, mos flini gjumë. Jemi shumë të ngarkuar me problemet e hallet tona familjare”, thotë ai.

Në Lezhë trotuaret dhe bankat janë të mbushura me njerëz dhe shumica e tyre nuk dinë si të orientohen për të aplikuar për leje. Edhe pse në Lezhë ka shkuar në 5 numri i të prekurve me COVID-19, qytetarët e shkujdesur ecin në grupe dhe pa masa mbrojtëse.