MENU
klinika

Analiza e njeriut që menaxhoi disa kriza botërore

Kissinger: Dështimi me COVID -19, mund t’i vërë flakën botës

05.04.2020 - 14:25

Nga Henry Kissinger

Atmosfera surreale e pandemisë së Covid-19 më sjell ndër mend, se si ndjehesha në rininë time, kur isha pjesë e Divizionit të 84-të të Këmbësorisë gjatë Betejës së Bulge. Tani, ashtu si në fund të vitit 1944, ekziston një ndjenjë e rrezikut të porsafilluar, që kish në shënjestër jo ndonjë person të veçantë, por që godiste në mënyrë rastësore dhe me shkatërrim. Por ekziston një ndryshim i rëndësishëm midis asaj kohe të largët dhe kohës tonë. Qëndrueshmëria amerikane atëherë u forcua prej një qëllimi final kombëtar. Tani, në një vend të ndarë, një qeveri efikase dhe largpamëse është e nevojshme për të kapërcyer pengesat e pashembullta, në përmasa dhe në shtrirjen globale. Ruajtja e besimit të publikut është thelbësore për solidaritetin shoqëror, marrëdhëniet e shoqërive me njëra-tjetrën dhe paqen e stabilitetin ndërkombëtar.

Kombet bashkohen dhe lulëzojnë bazuar në besimin se institucionet e tyre mund të parashikojnë fatkeqësi, të ndalin impaktin e tyre dhe të rivendosin stabilitetin. Kur të mbarojë pandemia e Covid-19, institucionet e shumë vendeve do të perceptohen si të dështuara. Nuk ka rëndësi, nëse ky gjykim është objektivisht i drejtë. Realiteti është se bota nuk do të jetë kurrë e njëjta pas koronavirusit. Të debatosh tani për të kaluarën, vetëm sa e vështirëson të bërit e gjësë së duhur.

Ish-sekretari Amerikan i Shtetit: Pas Covid 19, bota do të jetë ...

Koronavirusi ka goditur me një forcë dhe egërsi të paprecedentë. Përhapja e tij është eksponenciale: rastet në SHBA po dyfishohen çdo pesë ditë. Ndërkohë që shkruaj këtë artikull, nuk ka ende një kurë. Pajisjet mjekësore janë të pamjaftueshme për të përballuar valët e rasteve që sa vjen e zgjerohen. Njësitë e kujdesit intensiv janë në prag kolapsi. Testimi është i pamjaftueshëm, për kryerjen e detyrës së identifikimit të shtrirjes së infeksionit, aq më pak sprapsjes së tij. Një vaksinë e suksesshme mund të dojë 12-18 muaj që të prodhohet.

Administrata e SHBA ka bërë një punë solide në shmangien e katastrofës së menjëhershme. Testi përfundimtar do të jetë nëse përhapja e virusit mund të ndalet dhe më tej të sprapset, në një mënyrë dhe në një shkallë që ruan besimin e publikut tek aftësia e amerikanëve për t’u vetëqeverisur. Përpjekjet e krizës, sado të gjera dhe të domosdoshme, nuk duhet të largojnë vëmendjen nga detyra urgjente e lançimit të një përpjekjeje paralele, për tranzicionin drejt rendit të pas-koronavirusit.

Udhëheqësit po e përballin këtë krizë kryesisht mbi baza kombëtare, por impakti i virusit mbi shpërbërjen e shoqërive, nuk njeh kufij. Ndërkohë që sulmi ndaj shëndetit të njeriut do të jetë – shpresojmë – i përkohshëm, trazirat politike dhe ekonomike që ai ka startuar mund të zgjasin me breza. Asnjë vend, madje as SHBA, nuk mund të kapërcejë këtë situatë të shkaktuar prej virusit, thjesht me përpjekje kombëtare. Adresimi i nevojave të momentit duhet të shoqërohet përfundimisht me një vizion dhe program global bashkëpunues. Nëse ne nuk mund t’i bëjmë të dyja këto njëkohësisht, do të përballemi me më të këqijat e secilës.

Duke nxjerrë mësime nga zhvillimi i Planit Marshall dhe Projektit Manhattan, SHBA është e detyruar të ndërmarrë një përpjekje të madhe në tre fusha. Së pari, të forcojë rezistencën globale ndaj sëmundjeve infektive. Triumfet e shkencës mjekësore si vaksina ndaj poliomielitit dhe zhdukja e lisë së dhenve, ose mrekullia statistikore-teknike e diagnozës mjekësore përmes inteligjencës artificiale, na kanë përgjumur në një vetëkënaqësi të rrezikshme. Ne kemi nevojë për të zhvilluar teknika dhe teknologji të reja për kontrollin e infeksionive dhe vaksinave, nëpër popullsi të mëdha. Qytetet, shtetet dhe rajonet duhet të përgatiten vazhdimisht për të mbrojtur njerëzit nga pandemitë përmes krijimit të stoqeve, planifikimit bashkëpunues dhe eksplorimit në kufijtë e shkencës.

Së dyti, të përpiqet të shërojë plagët e ekonomisë botërore. Udhëheqësit globalë kanë nxjerrë mësime të rëndësishme nga kriza financiare e vitit 2008. Kriza e tanishme ekonomike është më komplekse: Tkurrja e shkaktuar nga koronavirusi është, në shpejtësinë e saj dhe në përmasën globale që ka, ndryshe nga çdo gjë e njohur ndonjëherë në histori. Dhe masat e nevojshme për shëndetin publik, siç janë distancimi social dhe mbyllja e shkollave dhe bizneseve, po kontribuojnë në shtimin e dhimbjes ekonomike. Programet gjithashtu duhet të kërkojnë të zbusin efektet e kaosit që do të vijë, tek popullsitë më të rrezikuara në botë.

Shkatërrim ekonomik global, që mund të zgjasë për…/ Henry ...

Së treti, të mbrojmë parimet e rendit liberal botëror. Legjenda në themel të qeverisjes moderne është një qytet me mure i mbrojtur nga sundimtarë të pushtetshëm, herë despotikë, herë të tjera dashamirës, por gjithnjë mjaftueshëm të fortë për të mbrojtur njerëzit nga një armik i jashtëm. Mendimtarët e Iluminizmit e ribënë këtë koncept, duke argumentuar se qëllimi i shtetit legjitim është të sigurojë nevojat themelore të njerëzve: sigurinë, rendin, mirëqenien ekonomike dhe drejtësinë. Individët nuk mund t’i sigurojnë vetë këto gjëra. Pandemia ka nxitur një anakronizëm, një ringjallje të qytetit me mure, në një epokë kur prosperiteti varet nga tregtia globale dhe lëvizja e njerëzve.

Demokracitë e botës duhet të mbrojnë dhe të ruajnë vlerat e Iluminizmit. Një tërheqje globale nga ekuilibrimi i pushtetit me legjitimitetin, do të bënte që kontrata sociale të shpërbëhej brenda shteteve dhe ndërkombëtarisht. Megjithatë, kjo çështje mijëravjeçare e legjitimitetit dhe pushtetit, nuk mund të zgjidhet njëkohësisht me përpjekjen për të kapërcyer plagën e hapur nga Covid-19. Nevojitet përmbajtje nga të gjitha palët, si në politikën e brendshme ashtu edhe në diplomacinë ndërkombëtare. Përparësitë duhet të përcaktohen qartë.

Ne kaluam nga Beteja e Bulges në një botë me prosperitet të rritur, dhe me dinjitet të njeriut të forcuar. Tani, jetojmë një periudhë epokale. Sfida historike për udhëheqësit është të menaxhojnë krizën ndërsa ndërtojnë të ardhmen. Dështimi mund t’i vinte flakën botës.

(Henry Kissinger ka qenë Sekretar Shtetit dhe Këshilltar i Sigurisë Kombëtare në administratën e presidentëve Nixon dhe Ford)

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Euroskepticizëm apo eurorealizëm?

“Ballkanizimi” i Evropës

Nga Project Syndicate

Amerika nuk është më e para…