Një 38-vjeçar është gjetur i pajetë mbrëmjen e sotme në qytetin e Elbasanit.
Sipas informacioneve të para, viktima është shtetasi Leonard Murrizi i cili është gjetur i pajetë në banesën e tij nga i vëllai, në lagjen “Beqir Dardha” të qytetit.
Ka qenë i vëllai i viktimës ai që ka njoftuar Policinë për ndihmë pasi prej orësh telefononte 38 vjeçarin por ai nuk i përgjigjej.
Menjëherë ai është nisur drejt shtëpisë së Leonardit dhe ka nisur të trokasë dhe t’i bjerë celularit njëkohëshisht, ndërsa nga jashtë dëgjonte zilen e tij.
Ngjarja është raportuar në orën 22.00 të mbrëmjes së sotme, ndërsa në banesën e viktimës ka mbërritur dhe Policia por në pamundësi për të hapur derën është kërkuar ndihma e repartit zjarrfikës. Ekipi zjarrfikës ka hapur derën e banesës së Leonard Murrizit dhe në prezencë të Policisë dhe të vëllait të tij, është konstatuar trupi i tij pa shenja jete.
Trupi i pajetë i Leonard Murrizit është dërguar në morgun e qytetit të Elbasanit ku pritet të përcaktohet shkaku i vdekjes së tij. Ai jetonte i vetëm në banesë pasi fëmijët dhe bashkëshortja ndodheshin në Greqi.