Bashkimi Evropian po kalon krizën e tij të fundit. Java e kaluar ka qenë një turp. Kur bisedimet e ministrave përfunduan pa një vendim konkret të enjten në lidhje me planin për “koronabondet”, reagimi dukej përfundimtar.
Gjermanët dhe hollandezët fyen italianët dhe spanjollët. Kryeministri i Italisë, Giuseppe Conte, tha se vendi i tij u përball me një “emergjencë ekonomike dhe sociale”, dhe BE dukej se nuk i interesonte. Danezët folën për “një krizë financiare”. Nënkryetari i komisionit evropian, Frans Timmermans, parashikoi se “BE nuk do t’i mbijetojë kësaj”.
Më në fund u ra dakord për një paketë të minutës së fundit, për 500 miliardë euro financim të kredisë emergjente. Kjo ishte pak më shumë se një shtrirje e mekanizmit ekzistues evropian të stabilitetit, i krijuar për të ndihmuar vendet individuale në raste emergjente afatshkurtra. Edhe atëherë, ishte thjesht një e treta e asaj që kishte thënë Banka Qendrore Evropiane, 1,5 ttn €.
Arsyeja ishte shumë e qartë, dhe aq e vjetër sa vetë BE-ja. Kombet e veriut evropian brenda eurozonës ende nuk u besojnë jugorëve.
Me fjalë të tjera, BE nuk është një bashkim i vërtetë politik, si Shtetet e Bashkuara ose Rusia apo edhe Mbretëria e Bashkuar.
Kur një vend i BE është në telashe, vetë BE-ja hesht. Kthen shpinën dhe shpreson se telashet do të zhduken.
Traktati i Mastrihtit i vitit 1992 u bazua në një ambicie për ta çuar Evropën drejt një qëllimi të tillë.
Megjithatë, siç tregoi Britania në kohën e Mastrihtit dhe që nga ajo kohë, Evropës i mungon ai identitet i përbashkët.
Këtë javë ka qenë jashtëzakonisht e qartë se shumë qeveri evropiane thjesht nuk u besojnë italianëve dhe spanjollëve.
Gjatë dy javëve të ardhshme, çdo shpresë për një përgjigje vërtet të bashkërenduar evropiane ndaj koronavirusit mund të zhduket.
Kreu i Fondit Monetar Ndërkombëtar thotë se bota po përballet me “krizën më të keqe ekonomike që nga Depresioni i Madh i viteve ’30”. Kjo me siguri është një kohë që BE të tregojë se është ende i aftë. A nuk tha themeluesi i BE-së, Jean Monnet, se një Evropë e re “do të formësohej në kriza”?
Gjithçka tregon se qytetarët në të gjithë Evropën po tregojnë një shqetësim kolektiv dhe kujdes për njëri-tjetrin.
Pandemia ka ringjallur besimin te bashkësia lokale dhe kombi. Megjithatë, reagimi i qeverive kryesore evropiane ndaj kësaj urgjence financiare ka qenë si ai i britanikëve në vitin 2016.
Ata nuk i besojnë BE-së paratë e tyre. Dhe ky nuk është një bashkim.
Simon Jenkins është një kolumnist i The Guardian