Kështu e ka cilësuar faqja zyrtare e Malagës sulmuesin e kombëtares shqiptare, Armando Sadiku. Skuadra spanjolle ka ndarë në rrjetet sociale një video të të gjithë golave të sulmuesit shqiptar, që e shoqëron me fjalët: “Pas pak do të nisim me publikimin e ‘ndeshje pas ndeshje‘, por më parë hapim oreksin me një racion të mirë me golat e vrasësit tonë.”
10 golat e shënuar prej tij me fanellën bardheblu e kanë shndërruar bomberin tonë në një gjahtar goli. Kaq i ka mjaftuar atij për të fituar zemrat e tifozëve të Malagës që me golat e elbasanasit kërkon të jetë në pozita komode në fundin e sezonit.
Sadiku ndodhet te skuadra e La Liga 2 në formulën e huazimit nga Levante. Me skuadrën nga Valencia nuk kishte rendimentin e pritur, kjo për shkak edhe të dëmtimeve. Por tashmë ai është rikthyer dhe duket se Malaga do ta rikthejë edhe në Kombëtaren shqiptare, ku mungon prej qershorit të vitit të shkuar.