Edhe blegtorët ankohen për vështirësi për shkak të masave kufizuese kundër koronavirusit. Ata thonë se mbyllja e lokaleve që ishte tregu kryesor i ka vënë në vështirësi, ndaj kërkojnë edhe mbështetjen e qeverisë. Ndërsa si zgjidhje, disa prej tyre po ndihmohen të shesin online bagëtitë dhe shpendët, pas mbylljes së restoranteve që ishin tregu kryesor.
Tonin Koleci nga Fishta e Lezhës mbarështon 200 krerë bagëti, ku një pjesë i ka gati për treg. Por situata e krijuar nga koronavirusi thotë se e ka vënë në vështirësi. Mbyllja e restoranteve dhe kufizimet e lëvizjes i kanë bllokuar shitjet.
Tonin Koleci, fermer: Kemi lokalet këtu që përdorin mishin e gecit, qumështin, por tani na kanë ngelur.
Sigurimi i ushqimit për bagëtitë thotë, është bërë i vështirë dhe i kushtueshëm. Ndaj flet për rrezik falimenti në kushtet e mungesës së mbështetjes nga qeveria.
Tonin Koleci, fermer: Nuk vjen askush të na pyesë. Izolohu, izolohu, ku të izolohemi, të shkojmë në varr të gjallë.
Fermerët me shqetësimet e Tonin Kolecit në Lezhë janë të shumtë.
Gati 50% e territorit të bashkisë së Lezhës është zonë bujqësore, çka do thotë se kriza e krijuar nga COVID-19 do të japë ndikim mjaft negativ për qindra familje që kanë si burim të ardhurash punën në këtë sektor.