Alban Musa dhe Suada Daci njoftuan pak ditë më parë se ishin larguar nga programi i mëngjesit “Rreze Dielli” në Report tv.
Arsyeja sipas Albanit lidhej me konfliktet që ai kishte pasur me drejtuesit e televizionit, ndërsa sipas Suada Dacit, programi ishte kthyer në një “detyrë shtëpie” ndaj largimi ishte zgjedhja më e mirë.
Por televizioni ka dhënë një version tjetër për largimin e dy moderatorëve, që tanimë janë zëvendësuar nga Katerina Trungu.
Sipas drejtuesve të televizionit, Alban Musa ka shkelur masat higjienike të vendosura për t’u mbrojtur nga koronavirusi, duke rrezikuar shëndetin e punonjësve të tjerë.
“Alban Musa është larguar për shkelje të rënda ndaj masave higjenike të vendosura në televizion pas shpërthimit të epidemisë së Covid 19. Që nga ditët e para të epidemisë Report TV vendosi rregulla sjelljeje sipas standarteve sanitare të aplikuara në të gjithë Europën, për të garantuar shëndetin e gazetarëve, kameramanëve dhe personelit që vazhdojnë punën në televizion (si ruajtja e distancës së sigurisë, përdorimi i maskave gjatë qëndrimit të redaksi, dizinfektimi i duarve). Thyerja e këtyre rregullave nga ana e Alban Musës dhe refuzimi i verejtjes nga ana e tij, vuri para rrezikut shëndetin e stafit të pranishëm në Rreze Dielli dhe të gjithë televizionit”, shpjegojnë përgjegjësit e ReportTV.
Ndërsa moderatorja tjetër Suada Daci thuhet se është larguar pas shkeljeve të vazhdueshme profesionale:
“Suada Dacit iu dha mundësia të punonte për herë të parë para telekamerave, u zëvendësua me një profesioniste në këtë fushë, me eksperiencë të gjatë në drejtimin e emisioneve. Daci largohet pas shkeljeve të vazhdueshme profesionale dhe të rregullave të punës në grup”.
ReportTV thekson se është impenjuar duke paguar plotësisht rrogat e personelit në këtë kohë krize dhe duke mos larguar askënd.
“Por shëndeti i punonjësve dhe respektimi i profesionalizmit, janë dy aspekte akoma dhe më shumë të rëndësishme në kohë të vështirë, prandaj secili duhet të jetë i përgjegjshëm që të kryejë mirë misionin e tij”, deklaruan drejtuesit e televizionit.