Nga Fuat Memelli
Pas një sëmundje të rëndë, të dielën më 19 prill, ndrroi jetë në Boston, në moshën 86 vjeçare, Frederik Gjerasi, një nga figurat e shquara të intelektualëve shqiptarë. Ndarja e tij nga jeta, la në pikëllim bashkëshorten Doloresa, djemtë Agronin dhe Pirron, nipërit dhe mbesën, vëllezrit, motrat, të afërmit si dhe shokët e miqtë e tij të shumtë.
Lindi më 10 shtator të vitit 1933 në Elbasan, në një familje patriote e arsimdashëse. Ai kaloi vite të fëmijërisë në Shmil të Elbasanit ku i ati ishte mësuesi i parë i fshatit dhe krahinës. Frederiku mbaroi me medalje Shkollën e Mesme Pedagogjike të Elbasanit dhe më pas studjoi për ekonomi politike në Universitetin “Shevçenko” të Kievit dhe në Universitetin “Lomonosov” të Moskës ku u diplomua në vitin1957. Gjatë viteve studentore ai punoi si spiker në Radio “Moska” dhe më pas në disa prej dokumentarëve të Kinostudios ‘Shqipëria e Re’ në vitet ’60. E folura dhe diksioni i tij i veçantë e kumbues, do të kujtohen gjithmonë me nostalgji nga dëgjuesit e kohës.
Mbas kthimit në Atdhe, Frederiku shërbeu me përkushtim në detyra të rëndësishme të jetës sociale e politike të atyre viteve. si në aparatin e Komitetit Qëndror, shef katedre në Shkollën e Partisë,etj.
Ai ishte përkthyes i delegacionit shqiptar kryesuar nga Enver Hoxha në mbledhjen e 81 partive komuniste në Moskë në nëntor të vitit 1960, ku Shqipëria u shkëput nga kampi socialist – një nga momentet kyçe të historisë shqiptare të pasluftes. Frederiku është autor i librit “Drama Shqiptaro-Ruse” botuar në vitin 2016 në të cilin ai përcjell me vërtetësi përjetimet e tij personale prej protagonisti me dritëhijet dhe ulje-ngritjet e marrëdhënieve midis dy vendeve.
Frederiku punoi si pedagog i jashtëm në Fakultetin Ekonomik të Tiranës duke merituar titullin “Docent” për librat e tij në fushën e ekonomisë politike. Në vitin 1974, pas debateve me Fiqrete Shehun për një botim të tij, u përjashtua nga partia për pikëpamje liberale dhe u transferua në kooperativën bujqësore të Mollasit në Elbasan. Aty punoi ekonomist për mëse 8 vjet, duke fituar respektin dhe dashurinë e njerëzve të thjeshtë të fshatit. Më pas punoi në Institutin e Metalurgjisë dhe së fundi në Institutin “Aleksandër Xhuvani” në Elbasan,si shef i katedrës së filozofisë deri në vitin 1991 kur u shkëput përfundimisht nga kariera profesionale.
Në periudhën e pluralizmit, nuk u përfshi në asnjërën nga partitë politike. Siç shprehet ai në libër, “më ishte neveritur nënshtrimi ndaj gjykimit kolektiv në organizatat e partisë, doja të jetoja i lirë”. Në plan të parë tani dilte familja, farefisi, shokët që vërtet e deshën në kohë të vështira.
Që prej vitit 2004 jetoi me gruan dhe djemtë e tij në Amerikë, ku mori pjesë aktive në veprimtaritë e shqiptarëve, ndiqte nga afër televizionin shqiptar, si dhe lexonte rregullisht shtypin e huaj në bibliotekën e Bostonit. Zërin e tij të ëmbël e dëgjuan edhe shqiptarët e Bostonit në një mbrëmje poetike, ku ai recitoi plot pasion poezi të Migjenit dhe të Kadaresë. Një gëzim të veçantë ndjeu ai kur djali i tij Agroni, para dy vjetësh hapi në Boston Qendrën Kulturore për të Moshuarit “Vatra”, e para qendër shqiptare e këtij lloji në Amerikë, një strehë e ngrohtë për pensionistët shqiptarë.
Të shumta ishin ngushëllimet kur morën vesh ndarjen e Frederikut nga jeta.
Artan Simeqi, një nga miqtë e familjes, ndër të tjera shkruante,”Frederik Gjerasi ishte nga ata persona për të cilët nuk mund të thuhen vetëm pak fjalë. Ai besonte në idetë e tij, ide për të cilat edhe u dënua. Gëzimin dhe optimizmin për jetën, nuk e humbi deri ditën e fundit. Do ta mbajmë mend qëndrimin e tij dinjitoz, mirësinë e tij, dashurinë për familjen, për miqtë dhe shokët”.
Kujtime të bukura ka shkruar për të jatin, djali i tij Agron Gjerasi. Ato përbëjnë një shkrim më vete, por po shkëputim vetëm disa nga cilësitë e tij të permendura në këtë shkrim, ”Familja, shëndeti dhe mbarëvajtja e saj, ishin të parat në listën e prioriteteve të tij. Kishte një shpirt bujar dhe I pëlqente më shumë të jepte se të merrte. Pëlqente barazinë mes njerëzve dhe këtij ideali i kushtoi jetën. Kishte dëshirë të pinte një gotë të vogël dhe të këndonte me shokët. Ishin të lindur pasioni dhe talenti I tij për spiker.Vlerësonte njëlloj si shoqërinë intelektuale, ashtu edhe atë me njerëzit e thjeshtë. Dinte të mbante veten edhe në ditët më të vështira”.
Frederikut i qëlloi të ndahet nga jeta në kohë të vështirë të Covid-19 dhe nuk iu bënë dot nderimet që meritonte. Shokët dhe miqtë e tij, nuk mundën t’i vendosin një buqetë apo kurorë me lule, por buqeta dhe kurora më e bukur është emri që la pas në kujtesën e njerëzve.
Ai u përcoll në banesën e fundit nga familjarët e tij si dhe kancelari i kishës së Shën Gjergjit, At Artur Liolini. Lamtumirë Frederik Gjerasi! Të qoftë dheu i lehtë!