Autori amerikan, Colson Whitehead është bërë shkrimtari i katërt në botë, i cili, ka fituar për herë të dytë çmimin “Pulitzer”, në zhanrin e trillit artistik.
Autori afrikano-amerikan është nderuar për novelën “The Nickel Boys”, në të cilën shpërfaqet abuzimi ndaj disa djemve me ngjyrë, në një shkollë në Florida.
Whitehead, 50-vjeçar, nga Nju Jorku, ka fituar çmimin e njëjtë më 2017, në kategorinë e njëjtë, për librin “The Underground Railroad”.
Para tij, vetëm, Booth Tarkington, William Faulkner dhe John Updike, kanë fituar këtë çmim dy herë, për trillin artistik.
Ndarja e çmimeve “Pulitzer” më 2020, është shtyrë për disa javë për shkak të pandemisë.
Përfaqësuesja për “Pulitzer”, Dana Canedy, ka përmendur se ndarja e parë e këtyre çmimeve është bërë më 1917, në më pak se një vit para shpërthimit të gripit spanjoll.
Çmimet “Pulitzer” janë ndër vlerësimet më të rëndësishme që u bëhen gazetarëve dhe autorëve me bazë në Shtetet e Bashkuara.