MENU
klinika

Klubet e përçara

Premier League, një hap para dhe dy prapa…

11.05.2020 - 13:04

Një hap para dhe dy hapa prapa. Kjo është ajo që po ndodh aktualisht në Premier League, me kampionatin më të fortë në botë që nuk ka një ditë për rifillimin e stërvitjes në grup dhe aq më pak për ristartin e ndeshjeve zyrtare. Drejtuesit janë duke punuar fort për të rifilluar, por lojtarët dhe zyrtarët e klubeve kanë këndvështrime të ndryshme.

Sidomos futbollistët, që edhe pse pjesa më e madhe janë të mendimit për të rifilluar, ekziston një grup jo i vogël që janë kundër zbritjes në fushë. Zyrtarët po i kërcënojnë me një fakt tjetër: Ai që nuk del në fushë, nuk do paguhet, madje edhe do i prishet kontrata. Por ka edhe nga ata trajnerë që deklarojnë se nuk duhet rrezikuar shëndeti i futbollistëve.

Krahasuar me testet e futbollistëve në ligat kryesore evropiane, Premier League aktualisht është kampionati më pak i prekur, me vetëm 1 rast pozitiv me Covid-19 të zbuluar kohët e fundit në radhët e Brighton, edhe ky madje simptomatik, teksa në Serie A ka 11 raste, Bundesliga 10 dhe Spanja me 5 raste.

Ndërkohë, në Bundesligë kampionati do të nisë të shtunën, ndërsa në Spanjë pritet më 12 qershor. Klubet në Premier League vijojnë të jenë të përçara, pasi 6 prej tyre, të gjitha në fundin e renditjes, vijojnë të jenë për mbylljen e sezonit në tavolinë ashtu si Franca apo si Holanda.

Pavarësisht presionit të Ligës dhe klubeve të mëdha, deri më sot, Brighton, West Ham, Watford, Bournemouth, Aston Villa dhe Norwich nuk duan të zbresin në fushën e lojës për të mbyllur sezonin aktual. Nga ana tjetër, Kryeministri Boris Johnson ka lejuar stërvitjen individuale në sport, por nuk është shprehur aspak për stërvitje në grupe, çka do të thotë se ende nuk ka një datë, edhe pse mendohet të jetë 18 maji.