Edhe pse nuk dihen me saktësi efektet ekonomike postCOVID-19, një gjë është e sigurt: vendi ynë do të përjetojë krizën më të thellë në 20 vite.
Deklarata është bërë një ditë më parë nga Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, në takimin me komunitetin e biznesit. “Ekonomia shqiptare pritet të pësojë një rënie të fortë të aktivitetit ekonomik gjatë vitit 2020, në përmasa të cilat nuk i kemi përjetuar gjatë dy dekadave të fundit. Ajo do të shoqërohet me rritje të papunësisë, rënie të të ardhurave dhe vështirësi financiare për bizneset e familjet”.
KREDITË
Në muajin mars, Banka e Shqipërisë krijoi kushtet rrgullatore që bankat të shtynin këstet e kredive për bizneset dhe individët deri në fundin e muajit maj, duke bërë që bankat të shtynin mbi 2 miliardë euro portofol. Por tashmë që edhe këtij muaji po i vjen fundi, kanë nisur përpjekjet për një shtyrje të mëtejshme, veçanërisht për sektorët më të prekur nga kriza. Kërkesa e bizneseve për likuiditet nga qeveria për të përballuar krizën e koronavirusit mori dje mbështetjen e guvernatorit, i cili u shpreh i gatshëm për të lehtësuar procesin më tej pas aprovimit nga bankat. “Sektori bankar duhet të bëjë një rivlerësim të qëndrueshmërisë së modelit të biznesit të kredimarrësve, në realitetin postCovid. Klientët në vështirësi të përkohshme financiare, por me modele të qëndrueshme biznesi, duhet të mbështeten me likuiditet dhe lehtësi të përkohshme operacionale.
Klientët në vështirësi më serioze mund të ndihmohen nëpërmjet ristrukturimit të kredisë, në formën e një tjetër shtyrjeje të përkohshme të këstit apo në formën e një ristrukturimi tërësor të saj, gjithnjë dhe për aq kohë sa perspektiva afatgjatë e biznesit mbetet solide”.
Sejko u kërkoi bankave të gjejnë “të mesmen e artë” midis mbështetjes së kredimarrësve dhe shëndetit të bilanceve të veta. Nga ana tjetër, Guvernatori u kërkoi sipërmarrjeve sinqeritet për situatën e tyre, duke shmangur lënien e gjithë peshës në kurriz të sektorit bankar. “Biznesi shqiptar duhet të tregohet transparent dhe luajal me sektorin bankar. Ky sektor duhet të ofrojë ndihmën e tij në përballimin e krizës, por ai nuk mund ta përballojë i vetëm faturën financiare të saj”.
BIZNESI
Komuniteti i biznesit ka paraqitur disa kërkesa kreut të bankës qendrore. Ines Muçostepa, kryetare e Dhomës së Tregtisë, kërkoi shtyrjen e pagesës së kredive për një periudhë deri në një vit. “Banka e Shqipërisë duhet t’i krijojë mundësi bankave të nivelit të dytë për të bërë një ristrukturim më afatgjatë në funksion të goditjes që kanë pësuar. Për sektorin prodhues, të transportit, të turizmit dhe atë fason, kërkojmë që: pagesa e kësteve të kredive të shtyhen nga 6 muaj deri në një 1 vit, si dhe të miratohen sa më parë aktet normative lidhur me garancinë e dytë sovrane për të ofruar likuiditet në investime apo në rifillimin e punës”, theksoi Muçostepa, duke shtuar se nevojitet një ndërhyrje e dytë, me qëllim lehtësimin e pasojave postkoronavirus”.
Ndërsa kryetari i Shoqatës Shqiptare të Bankave, Silvio Pedrazzi, vuri në dukje se sektori që përfaqëson është i gatshëm të mbështesë klientët në vështirësi për shkak të situatës së krijuar, por theksoi se nevojitet më shumë qartësi në skemat e mbështetjes që do të garantohen nga qeveria shqiptare. Sipas tij, jo të gjithë mund të përfitojnë nga garancia shtetërore. “Duhet të analizojmë dhe të gjejmë zgjidhje rast pas rasti, na duhet kohë të analizojmë edhe një shtyrje të mundshme të pagesës së kësteve.
Garancia sovrane nuk mbështet çdo kredi që duan të marrin klientët dhe nuk mund të përfitojnë ata që nuk kishin mundësi shlyerjeje të huave të mara para pandemisë. Sektori bankar nuk mund të mund të negociojë stabilitetin e vetë sistemit. Duhet të bëjmë diçka për të nxitur kredidhënien dhe të mos harrojmë se të gjithë jemi në të njëjtën varkë”, tha Pedrazzi, duke shtuar se numri i aplikimeve për kredi është dyfishuar që nga java që lamë pas. Vetë bizneset thonë se kanë pasur përgjysmim të të ardhurave dhe rënie të shitjeve me 70%, ndërsa deri më sot rezultojnë mbi 60 mijë persona të pushuar nga puna.