MENU
klinika

"Erdhi si uragan dhe rrafshoi ekonominë"

Sektori i shitjeve me pakicë, rënie rekord për shkak të pandemisë

16.05.2020 - 11:18

Shitjet me pakicë në Shtetet e Bashkuara shënuan një renie rekord prej 16.4 për qind nga marsi deri në prill pasi mbylljet e bizneseve të shkaktuara nga koronavirusi i mbajtën blerësit larg tyre, kërcënuan qëndrueshmërinë e dyqaneve në të gjithë vendin dhe përkeqësuan më tej ekonominë që tashmë është në rënie.

Raporti i Departamentit të Tregtisë, i publikuar të Premten në lidhje me blerjet me pakicë thotë se ky sektor është goditur shumë shpejt dhe se shitjet gjatë 12 muajve të fundit kanë rënë me 21.6 për qind. Ritmi i rënies është i pakrahasueshme për shifrat e shitjes me pakicë që datojnë nga viti 1992. Rënia mujore në prill gati dyfishoi rënien e mëparshme rekord prej 8.3 për qind, të vendosur vetëm një muaj më parë.

“Është si një uragan që erdhi dhe e rrafshoi tërë ekonominë, dhe tani ne po mundohemi ta rimëkëmbim atë”, tha Joshua Shapiro, ekonomist amerikan i grupit konsulent, “Maria Fiorini Ramirez”.

Zoti Shapiro tha se ai mendon se shitjet me pakicë do të rimëkëmben disi pasi shtetet fillojnë të rihapin ekonomitë e tyre. Por ai tha se shitjet në përgjithësi do të mbeten në nivel të ulët “sepse një pjesë e madhe e vendeve të humbura të punës nuk do të rikthehen.”

Rënie më të mëdha të shitjeve nga Marsi deri në Prill u shënuan në dyqanet e veshjeve, elektronikës dhe mobiljeve. Një migrim i konsumatorëve drejt blerjeve në internet, që tashmë po ndodhte, po përshpejtohet. Ky segment i ekonomisë shënoi një rritje prej 8.4 për qind të të ardhuar në muaj.

Përveç shitjeve në internet, asnjë kategori tjetër e shitjeve me pakicë nuk u kursye nga rënia e madhe e shënuar në prill. Qendrat e shitjeve të makinave pësuan një rënie mujore prej 13 për qind, dyqanet e mobiljeve 59 për qind, dyqanet elektronike dhe të pajisje shtëpiake shënuan rënie prej 60 për qind. Dyqanet me pakicë që shesin materiale ndërtimi kanë shënuar një rënie prej afro 3 për qind të shitjeve. Pas blerjeve të nxitura nga paniku në mars, shitjet ushqimore shënuan një renie prej 13 për qind.

Shitjet e dyqaneve të veshjeve ranë me 79 për qind, ato të dyqaneve të mëdha të përgjithshme 29 për qind. Restorantet, disa prej të cilave tashmë kanë filluar të mbyllen në mënyrë të përhershme, pësuan një rënie gati 30 për qind pavarësisht transferimit në mënyrë agresive në ofrimin e ushqimeve me porosi dhe dërgesa./VOA

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Koronavirusi/ Paralajmërimi i FMN-së

“Depresioni më i thellë që nga vitet ’30”