MENU
klinika

Disa të shoqëruar

Shembet Teatri Kombëtar. Policia ndeshet me rezistencën e artistëve

17.05.2020 - 07:44

Gjatë mëngjesit të sotëm forca të shumta të policisë kanë mbërrituar në Teatrin Kombëtar duke nxjerrë të gjithë artistët që ishin në mbrojtje të tij.

Situata nuk ka qenë aspak e këndshme pasi policia ka ushtruar dhunë ndaj personave që ishin në mbrojtje të Teatrit si dhe ka arrestuar disa prej tyre.

Policia rrethoi të gjithë perimetrin e Teatrit duke u dhënë mundësinë fadromave të nisin punën për shembjen e ndërtesës.

Ndërkohë fadromat kanë prishur edhe pjesën ballore të Teatrit Eksperimental. Po ashtu është bllokuar edhe qarkullimi përreth perimetrit të Teatrit Kombëtar.

Policia u sigurua fillimisht që të evakuojë artistët dhe qytetarët brenda saj duke shoqëruar edhe 26 persona mes të cilëve Neritan Liçajn, Edmond Budinën apo dhe kryetaren e LSI, Monika Kryemadhi.

Edhe pas shembjes së Teatrit qytetarët dhe artistët kanë kërkuar të bëjnë një rezistencë të fundit. Në këtë mënyrë është tentuar të thyhet kordoni policor dhe të konfrontohen me Policinë.