MENU
klinika

Wlodzimierz Pajakowski

Iliria në mbretërimin e Bardhylit, fakte e dilema

04.10.2018 - 11:59

Mbreti Bardhyl mbahet i pari i një dinastie mbretërish ilire në antikitet ose në periudhën helenisike. Kjo periudhë karakerizohet nga vërshimi i kulturës Helene, (fillim i kulturës romake-qytetërimit grek, romak, ilir) edhe në territoret e Shqipërisë dhe mbahet si një nga fazat e hershme të qytetërimit Europian. Për Bardhylin ka shumë teori mbi aktivietin e tij politik, shumë studiues megjithatë e shikojnë si mbret i pothuasje shtrirjes së Shqipërisë së sotme, Mal të Zi, Kosovë e i një pjesë të Maqedonisë, pjesës veriore të Greqisë së sotme. Por si e parashtron në trajtesën e tij shkencore Wlodzimierz Pajakowski në Tiranë me rastin e punimeve në konferencën ‘’Kuvendi i Studimeve Ilire” Akademia e Shkencave më 1974? Ky organizim shkencor ishte rast i veçantë ku morën pjesë shumë albanologë të huaj. Më poshtë po ju përmbledhim disa argumente në kumtesën e tij shkencore në lidhje me mbretërinë e Bardhylit.

Sipas disa studiuesve Bardhyli është prijësi i enkelejve, mbretëria e të cilëve gjoja filloi të lulëzojë në mesin e shek IV p.e.re, një mendim tjetër i hedhur vetëm si një shënim i shpejtë, e lidh atë me disin ose dinastinë e dyestëve të cilët gjoja zotëronin Damastionin e palokalizuar me saktësi.

Bardhylin e lidhin edhe me fisin e ardiejve, të cilët disa i quajnë themelues dhe udhëheqës të formacionit shtetëror ilir, madje inkluzivisht deri me rënien e mbretërisë ilire në vitin 167(p.e.re).

Ekziston edhe mendimi se krijuesit e shtetit të Bardhylit qenë dardanët. Ky shtet gjendej në veri të liqenit të Lyhnit duke përfshirë këtu edhe Dasaretinë. Por me interes duhet quajtur mendimi i hedhur që në shekullin e kaluar i mbrojtur dhe zhvilluar tani prej F. Papazoglut, sipas të cilit Bardhyli nuk qe prijës i ndonjë fisi por mbret i ilirëve. Këtë mendim e sygjeron edhe konkluzioni se duke filluar nga Bardhyli e deri tek Genti një sërë krerësh sikur formojnë një dinasti.

Sipas F. Papazoglut, seria e prijësave ilirë fillon me Syrren pak të njohur, sipas përcaktimit të saj, përfaqësues i dinastisë së vjetër. Pas tij pushtetin mbi ilirët e zuri Bardhyli, uzurpator dhe krijues i dinastisë së re. Nga Dinastia e re autorja e këtij koncepti veçon gjithashtu Glaukian, në fillim prijës i taulantëve i cili në periudhën e Kasandrit nështroi ilirët dhe pjesëtarët e dinastisë së themeluar prej Bardhylit. Dinastia duhet të mbretëronte mbi ‘’Illyrii proprie dicti’’term i cili sipas F. Papazoglut, ishte përkufizimi i përbashkët i shumë fiseve të vogla ilire, të bashkuara politikisht pikërisht prej Bardhylit.

Mendimet e studiuesve ndahen dhe përsa i përket lokalizimit të mbretërisë së Bardhylit. Sipas pikëpamjes së disa shkencëtarëve, territori ku shtrihej pushteti i tij gjendej në ilirinë juglindore që i korespondon lokalizimit të pranuar këtu, me territorin e enkekelejve dhe dasaretëve.

Një mendim tjetër e identifikon këtë mbretëri me territorin në Drilonin e poshtëm dhe me Doklenë. Është krejtësisht e kuptueshme që tezat të cilat e lidhin Bardhylin me ardiejt, duhet të marrin parasysh lokalizimin e shtetit të tij në përputhje me trojet e tyre, dmth, sipas mendimit të pranuar, në veri të Neretvës përgjatë dy brigjeve të saj ose siç tregojnë hulumtimet e fundit, në territorin në jug të lumit.

Sipas konceptit të F. Papazoglut territori që i përkiste Bardhylit duhet identifikuar me Shqipërinë e sotme qëndrore e veriore dhe bregdetin e Malit të Zi. Por duhet të vëmë në dukje se studiuesit e tjerë me termin ‘’Illyrii proprie dicti’’ nënkuptojnë një fis të vogël, që gjendej në bregun ilir, në veri të rrjedhës së poshtme të Matit.

 

Mendimet e mësipërme na shpien në përfundimin se ekzistojnë disa koncepte për sa i përket origjinës dhe rolit të luajtur prej Bardhylit. Me këtë mes më pak bindës se të tjerët është sipas mendimit tonë roli që u jepet ardiejve, i shkaktuar nga lokalizimi i pasaktë i territorit të tyre.

Mendimet e reja se ardiejt duhet të shtriheshin midis Neretves dhe liqenit të Shkodrës nuk sjellin elemente të reja.

Sipas mendimit tonë, vendi i banuar fillimisht nga ardiejt duhet çuar në veri dhe juglindje të liqenit të Shkodrës. Në veri ka shumë të ngjarë të gjendej kufiri i tyre i përbashkët me autoritet, në juglindje me dardanët, ndërsa në jug ka mundësi që ata të gjendeshin herëpashere në kontakt të drejtpërdrejtë me Dasaretinë, shtrirja e së cilës i nënshtrohet ndryshimeve, për çka dhe do të bëhet fjalë më poshtë.

Një përcaktim i tillë i territorit të ardejve vërtetohet prej faktit se duke filluar nga lufta e parë dhe e dytë e romakëve në Iliri, ata kthehen në objekt grindjesh territoriale ndërmjet Maqedonisë së Filipit V, prijësave ilirë dhe Romës.

Në periudhën e Agronit dhe Teutës duket se ardejt u nënshtrohen pikërisht këtyre prijësave. Por kjo nuk do të thotë se forca e tyre bazohej në fisin e ardejve.

Përsa i përket rolit të madh historik që u atribuohet ardejve, vazhdimisht të diskutuar, sipas mendimit të autorit duhet vënë në dukje se vihet re pikërisht në kohën e likuidimit të mbretërisë ilire prej romakëve në vitin 167. Duket se ky rol ndërpritet nga fushatat e Oktavianit në Iliri në v. 35-33 para e. re.

 

Shumë fakte nuk e lejojnë identifikimin e mbretërisë së Bardhylit në Ilirinë Juglindore. Këtë territor, sipas konkluzioneve të Kipertit dhe të tjerëve, duhet ta identifikojë me Dasarinë.

Sipas mendimit të tij, Dasaretia gjendej në anën jugperëndimore të liqenit të Lyhnit, duke zënë një pjesë të madhe të Ilirisë së jugut, së bashku me rajonin e Beratit të sotëm, por të dhënat e varfëra burimore dhe mbishkrimet vërtetojnë vetëm lidhjet e Dasaretisë me Lyhnidin, i cili gjendej në verilindje të liqenit të Lyhnit, kjo nuk mund të merret si bazë për të nxjerrë konkluzione mbi madhësinë e vetë Dasaretisë.

Sipas mendimit tonë, Dasaretia duhet përcaktuar në periferinë e afërt të Lyhnidit më tepër në Lindje të pellgut të liqenit të Lyhnit. Në vendin e dasaretëve, që deri më tani zinin një pjesë të konsiderueshme të territorit të Ilirisë së jugut, unë propozoj të vendosen antianët, ekzistenca e të cilëve dëshmohet qartë në historinë e këtyre rretheve, kjo nuk ka gjetur deri më tani reflektimin përkatës në gjeografinë historike të këtij rajoni të Ilirisë, me përjashtim të mendimit të H. Cekës dhe lokalizimit më pak bindës të N.G.L Hammondit.

Duke propozuar ndryshimin e mësipërm për përcaktimin e territorit të Dasaretisë dhe atantanisë, ne nuk synojmë të identifikojmë këtë të fundit me mbretërinë e Bardhylit.

Këtë e kundërshton fragmenti i ruajtur prej Kalisthenit, i cili duke vlerësuar, me sa duket, masat e marra të Bardhylit, paska thënë për të se ai ëndërronte të zotëronte vendin prej mollosëve deri në Maqedoni. Bardhyli zotëroi për një farë kohe këtë vend, për deri sa disa herë u përzie me sukses në punët e brendshme të Maqedonisë dhe Epirit.

Por ky territor nuk ishte fillestar, kryesori, prej nga nisi pushteti i tij. Këtë e vërteton dhe një fakt, që jo gjithnjë merret parasysh. Pikërisht në betejën vendimtare midis Bardhylit dhe Filipit të II morën pjesë forca mjaft të mëdha.

Nga të dy anët morën pjesë më se dhjetë mijë këmbësorë, pa llogaritur kalorësinë, të cilën Filipi e kish pak më të madhe. Me qëllim konfrontimi mund të vemë në dukje se në betejën Lektra, lidhja e Peloponezit pregatiti mbi 10 000 luftëtarë, ndërsa thebanët më se 7 000 veta.

Duhet të theksojmë se mundësitë demografike të thebanëve më tej dalin thuajse të pa kufizuara. Mundësitë demografike të Ilirisë kanë qenë gjithnjë të kufizuara.

Kështu që në se Bardhyli do të zotëronte vetëm Ilirinë juglindore, praktikisht vetëm Dasaretinë, nuk do të arrinte kurrë të hidhte në betejë një forcë ushtarake numerikisht të barabartë me atë të Filipit të II.

Vendi i nështruar në fillim prej Bardhylit, më saktë territori fillestar i formimit të shtetit ilir, sipas gjithë gjasave, gjendej në veri, në veri të rrugës së mëvonshëm Egnatia. Megjithatë, nuk do të thotë, se ne shohim si territor filestar të kësaj mbretërie Dardaninë. Kjo për arsye se mungojnë provat, që do të vërtetonin mendimet ndaj rolit që duhej të luanin dardanët gjatë proçesit të lindjes së mbretërisë së Bardhylit.

Siç dihet Bardhylin e kanë përcaktuar prijës, mbret të ilirëve. Disa vërtetojnë se ai krijoi një shtet të fortë, një fuqi të madhe. Bardhyli ia nënshtroi pushtetit të tij disa pjesë të së ashtuquajturës Maqedoni e veriut, si Lynkestiden, ndoshta dhe Pelagoninë dhe me siguri Dasaretinë ilire.

Në jug pushteti i tij ka mundësi të jetë shtrirë në Epir. Në lidhje me këtë ai duket se mbretëronte dhe mbi atintanët, është shumë më i komplikuar përcaktimi i pushtetit të tij në veri të liqenit të Shkodrës. Me siguri atij i ishte nënshtruar territori i afërt me periferinë e qyteteve, Budua dhe Rizon, veçse është i dyshimtë në se pushteti i tij shtrihej në territorin e limit Neretva.

Nuk përjashtohet mundësia që nën pushtetin e Bardhylit të kenë qenë ardiejt, territorin e të cilëve jemi të prirur ta zhvendosim më në juglindje, në fqinjësi me Dasaretinë, brygët dhe Maqedoninë. Përmasa të tilla do të ketë marrë procesi i integrimit politiko-territorial të fiseve ilire që ne i lidhim me veprimtarinë e Bardhylit.

Përcaktimet tona duket se gjejnë një vërtetim të plotë në ‘’Periplusin’’ e Pseudo Skylaksit: Skylaksi duke shqyrtuar territorin e Ilirëve shkruan se ai zë bregdetin e Adriatikut nga liburnët në veri deri te kaonët në jug. Më tej ai rendit portin dhe qytetin (me emrin Heraklea), fisin e herastamneve, bylinët, hyllët, veçon truallin e banuar nga nestet: megjithëse për vetë fisin nuk flet asgjë.

Ai përmend maniejt (në bregdet) dhe autariatet (më larg bregut): si dhe enkelejtë, të cilëve u cakton, me sa kuptohet teritorin nga Rizoni deri në Budua. Nga këndi i vështrimit tonë vlerën më të madhe e ka fragmenti që del në kodekset e kreut ‘’Ilirët’’…

Pseudo Skylaksi më tej përcakton shkurtimisht pozitën e Epidammit dhe Apollonisë, gjatësitë e bregut të zëna nga Oriku-Orikja dhe Amantia…

Së fundmi në fragmentin e fundit me titullin ‘’Oriket’’ të cilët zinin pjesën e bregdetit Ilir nga Apollonian e Orik, ne gjejmë një karaktetristikë të shkurtër të lidhjeve territorial-politike dhe etnike. Ne mësojmë se Orikia gjendet në territorin e amantëve dhe amantët janë një pjesë e fisit të Bylinëve.

Nuk është e vështirë të vihet re se Pseudo Skylasi përcakton këtu përmasat dhe kufijtë e popullsisë me origjinë ilire. Duke përshkruar Kaoninë ai tregon qartë se pas ilirëve gjenden kaonët.

Kapituj të veçantë të përshkrimit ‘’Ilirët ‘’ përkojnë me siguri me njësi të veçanta politike.

Një njësi të tillë të veçantë në mund ta gjejmë tek bylinët, të cilët vijojnë menjëherë pas liburnëve; mëtej tek maniejt si dhe tek autariatet, të cilët kishin një kufi të përbashkët me maniejt. Mundet që një njësi të veçantë politike krijonin enkelejtë.

Me këtë mënyrë del përfundimi se fragmenti nën titullin ‘’Ilirët’’ paraqet një njësi të pavarur në aspektin politik. Në veri ata kishin një kufi të përbashkët me enkelejtë. Kjo do të jetë afërsisht linja e liqenit të Shkodrës. Në jug territori i ilirëve kufizohet me Apolloninë. Afër kësaj të fundit në hinterland, kalonte kufiri i atintanët. Të dhënat e mësipërme dëshmojnë se në ‘’Periplus’’ nuk ka lajme mbi taulantët, por sipas gjithë gjasave, autori i ‘’Periplus’’ ishte në dijeni të faktit që taulantët në aspektin politik qenë të bashkuar me ‘’ilirët’’.

Po kështu dhe me Epidamnin. ‘’Periplusi’’ flet qartë se Epidamni gjendej në territorin e ilirëve. Kjo do të thotë se qyeti u ishte nënshtruar atyre. Si përfunim mund të themi se Pseudo Skylaksi vërteton në parim përcaktimet tona ndaj vendeve, kohës dhe përmasave të procesit të bashkësimit territorial-politik të Ilirisë, të cilat ne i lidhim me veprimtarinë e Bardhylit. Gjurmimet në këtë çështje na lejojnë që të përcaktojmë se:

  1. Në shek. VI dhe V ilirët në aspektin politik qenë të ndarë në fise të veçanta. Në këtë kohë shfaqet epërsia e papërcaktuar mirë e enkelejve, ne vihemi në dijeni të kësaj hegjemonie nga lidhjet me luftrat greko-persiane
  2. Duke filluar nga lufta e Peloponezit vërehet një rritje e aktivitetit të fiseve ilire, të cilët në gjysmën e parë të shek IV u bashkuan nën udhëheqjen e brygëve në një strukturë të përcaktuar politike.

Brygët nënshtruan taulantët dhe fiset e tjera ilire dhe fqinje dhe pushtuan Epidamnin. Mbi brygët printe Bardhyli. Duke i bashkuar fiset ilire ai krijoi mbretërinë ilire që me sa duket, ishte mbretëria e parë helenistike në histori.

Teoria jonë mbi lindjen e mbretërisë së Bardhylit është në kundërshtim me teoritë e tjera, por ajo përpiqet të jetë në përputhje me burimet.

Nga kumtesa shkencore ‘’Nga historia politike e Ilirisë në gjysmën e parë të shekullit IV para erës sonë’’ e Wlodzimierz Pajakowski,  ‘’Kuvendi i Studimeve Ilire” Akademia e Shkencave‘’ 1974

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN



“Pasuria që s’e blejnë dot paratë”

Libri për suksesin e vërtetë dhe rritjen personale

Ngjarja më e rëndësishme e popullit shqiptar

Dita e Alfabetit të Gjuhës Shqipe

Premiera “13” nën petkun e Sulejman Rushitit

“Kadare, Kuteli, Fishta…të ndërthurur në dramën bashkëkohore”

Erdhi si një mrekulli për publikun shqiptar

Marie Kraja, diva me zërin e pastërt dhe të kthjellët