Në të gjitha ndeshjet e radhës në Bundesligës 1 dhe 2, të planifikuara për datën 27 dhe 28 maj do të mbahet nga një minutë heshtje në nderim për të gjithë personat në botë që humbën jetën nga pandemia Covid-19. Të gjithë futbollistët do të luajnë me shirit të zi në krah.
Kështu ka vendosur Liga Gjermane e Futbollit. “Përhapja e virusit tashmë ka shkaktuar shumë viktima në të gjithë botën. Futbolli profesionist gjerman do të donte të shprehte ngushëllimet e tij në dy ditët e ardhshme të ndeshjeve,” – thotë Christian Seifert, kreu ekzekutiz i Ligës.
Por pyetja logjike në këtë rast është: Pse nuk u mbajt një minutë heshtje në javën e parë pas rikthimit të futbollit gjerman, pikërisht më 16 maj? Kjo e ka një arsye. Së pari, të gjithë aktorët e futbollit ishin të përqendruar të protokolli dhe se si do të zbatohej në ndeshjet e para dhe një shtesë e tillë me një minutë heshtje do të ngarkonte edhe psikologjikisht lojtarët.
Duhej rinisur për të argëtuar dhe jo direkt me trishtim. Së dyti, nuk ishte garancia absolute që gjithçka do të shkonte mirë në javën e parë pas një kohe të gjatë dhe ajo ceremoni me një minutë heshtje mund të mos vlente në rast se ndonjë takim apo disa do të dështonte. Tashmë që java e 26-të shkoi në rregull dhe nuk pati asnjë problem sa i përket organizimit apo rasteve me Covid-19, është menduar që të mbahet 1 minutë heshtje para nisjes së ndeshjeve.