1 në 5 të diplomuar në shkollat profesionale në vend, apo 20 për qind, mbeten të papunë. Çka do të thotë se tregu i punës në Shqipëri është relativisht i dobët dhe nuk është në gjendje t’u sigurojë mundësi të rinjve për të shfrytëzuar aftësitë e tyre profesionale të fituara ose fuqia punëtore profesionale është larg përmbushjes së kërkesës që ka vendi.
Në këtë konkluzion ka dalë një raport i publikuar së fundmi, i mundësuar nga GIZ dhe Shërbimi Kombëtar i Punësimit, lidhur me punësueshmërinë e nxënësve që mbarojnë shkollat profesionale në vend.
Sipas rezultateve të anketimit, 38% të anketuarve deklaruan se ata po vazhdojnë studimet e tyre të mëtjeshme, pasi vendi nuk duket i përshtatshëm për ta sa i takon mundësive për punësim pas diplomimit. Sipas raportit, duhet të theksohet se niveli i papunësisë së të rinjve të diplomuar është ulur pak nga raporti statistikor i prodhuar në vitin 2018, ku ky nivel ishte 28% në Shqipëri. Kjo manifestohet edhe me një rritje të lehtë të përqindjes së studentëve të punësuar, ose që vazhdojnë studimet këtë vit.
Sa i përket të anketuarve, të cilët deklaruan se ishin të papunë në momentin e intervistës, shumica prej tyre konfirmuan se nuk ishin punësuar që nga diplomimi në shkollat përkatëse, ndërsa pjesa tjetër deklaroi se ata nuk mund të gjenin punë, ose kishin lënë punën vullnetarisht punën e tyre të fundit dhe tani ishin në kërkim të një pune të re.
Sipas raportit, kjo tregon një mungesë informacioni dhe udhëzimi që kanë të diplomuarit dhe mungesë të lidhjes midis shkollave profesionale dhe tregut të punës në vend. Ky është një trend që mund të shihet edhe në raportin e vitit të kaluar në pothuajse të njëjtat nivele.