MENU
klinika

‘Sekreti i një dashurie që zgjati 53 vjet’

Rrëfimi i Sadijes: Ja pengu im më i madh për Dritëroin

27.05.2020 - 07:34

Kjo intervistë është pjesë e një cikli intervistash syresh të cilat mëtojnë të sjellin para lexuesve profilet e disa prej zonjave të cilat në një mënyrë apo një tjetër e kanë shënuar fatin e qytetit.

Një prej tyre është zonja Sadije Agolli, bashkëshorte e Dritëroit. Më ka magjepsur gjithmonë kjo bashkjetesë simbiotike e tyre duke me bërë kurioze për çka e ushqen . Të mirë, të mençur, të ngjashëm, thuajse të bërë një, kështu i kam perceptuar sa herë i kam takuar të dy gjatë vizitave në shtëpinë e hapur për të gjithë.

“Pengu më i madh që kam është që nuk isha aty t’i mbyllja sytë “- më thotë ajo ndërsa pimë kafenë në të njëjtin divan të shtëpisë ku Dritëroin e kam intervistuar kaq herë.“ Mendoj se i ka hequr vetë tubat e oksigjenit, është lodhur dhe e ka bërë kur nuk ndodhesha aty pasi e dinte që nuk do ta lejoja. Besoj që ka dashur vetë të ikë.”

Me këtë rrëfim për dhimbjen që nuk ishte aty në momentin e fundëm të njeriut që i dedikoi jetën Sadije Agolli më rrëfeu gjithashtu sekretin një dashurie që zgjati gati 55 vjet, sekret që e gjeni në këtë intervistë.

Më duhet të falenderoj në mënyrë të vecantë zonjën Agolli që pranoi insistimin tim për këtë intervistë me shumë bujari dhe dashamirësi në një moment shumë të vështirë për të dhe familjen e saj.

Në vigjilje të një vjetorit të humbjes së Dritëroit ky bashkëbisedim është një dëshmi për jetën e tij si njeri dhe shkrimtar, si baba e si shok, por jo vetëm kaq. Është një dëshmi për një dashuri të rrallë , ashtu siç e duam të gjithë.

PJESË NGA INTERVISTA

Znj.Sadije dua të nis këtë bashkëbisedim me ju në rradhë të parë duke pyetur për shëndetin tuaj, a jeni e fortë…ka diçka që ju mundon…?

Më vjen mirë që këtë bashkëbisedim në letër ta bëj me një gazetare, të cilën e vlerësoj, se hyn në rradhën e gazetareve që kanë krijuar emrin e tyre dhe nuk ngatërrohet me emra të tjerë, qofshin gra dhe vajza, qofshin burra. Sigurisht, këtë bashkëbisedim e kam shumë zor ta bëj në mënyrë të natyrshme me zë, por zgjodha letrën e bardhë, se e kam më të lehtë të kuvendoj nëpërmjet saj.

Unë kam dhënë shumë pak intervista, sidomos të bëj bashkëbisedime për temat intime të jetës bashkëshortore. Kështu ndodh kur jeton me një figurë të njohur dhe je gjithnjë në hije. Kjo është normale, pasi epiqendra ishte Dritëroi. Pastaj për të dhënë intervista e kam shumë të vështirë, në këto kohë kur po punoj dhe po përjetoj një dhimbje shumë, shumë të madhe e pas një bashkëjetese të gjatë 53-54 vjeçare, bashkëjetesë të plotë, kur plaga nuk mbyllet asnjëherë.

Ajo ngacmohet vazhdimisht nga kujtimet, nga mbresat, nga veprat që ka shkruar, nga dosjet e stivosura, nga blloqet e shënimeve, nga albumet e shumta me fotografi, nga telefonatat e shokëve, miqve të shumtë, të njohur e të panjohur, nga sendet e shumëllojta, duke filluar nga stilografët, stilolapsat dhe duke përfunduar me çakmakët, gotat, bastunët, që i dhuruan miqtë, kur Dritëroit iu thye këmba.

Orë për orë me Atë, ditën dhe natën, prandaj kam pagjumësi të vazhdueshme, pasi në çdo moment e ndjej parnë meje. Edhe në varreza kam shkuar më rrallë, se nuk e pranoj vdekjen e tij, më duket se e lë vetëm në shtëpi dhe do të më kërkojë.

Ende jam si në jerm dhe vetëm e shkruara më bën më të vetëdijshme, shkarkoj llogjikoj, arsyetoj. Në të shkruarën gjej fjalët të komunikoj, pasi dhe fëmijët nuk dua t’i mërzis vazhdimisht me dhimbjen time. Janë 53 vjet, mbi gjysëm shekulli që kemi qenë gjithnjë me njëri-tjetrin, kemi biseduar, kemi qeshur, kemi qarë.

Po bëhet viti nga humbja e Dritëroit… si ju janë dukur këto muaj… ?

Unë jetoj ditë për ditë dhe orë për orë me Dritëroin, ditën dhe natën, prandaj kam dhe pagjumësi të vazhdueshme, pasi në çdo moment e ndjej se është pranë meje. Edhe në varreza kam shkuar më rrallë, se më duket sikur e le vetëm në shtëpi dhe do të më kërkojë. Janë 53 vjet, mbi gjysëm shekulli që kemi qenë gjithnjë me njëri-tjetrin, kemi biseduar, kemi qeshur, jemi përlotur, jemi grindur, jemi përkëdhelur, kemi diskutuar e debatuar…

Prej më shumë se 52 vitesh, ju dhe Dritëroi keni ndarë jetën, keni ndarë çdo ditë të jetës tuaj… çdo të thotë sot, ta kalosh ditën pa Dritëroin…

Kuptohet, është një jetë e tërë dhe më duket se më mungon një pjesë e trupit dhe e trurit. Kanë kaluar 11 muaj dhe unë nuk po arrij të mësohem, të ambjentohem me këtë realitet, që është krejt i ri për mua.

Kjo është gjendja ime e tanishme dhe shëndeti varet nga kjo. Mua më mungon gjithçka, por ndjej përgjegjësi më të madhe, pasi duhet të realizoj në libra, ato dorëshkrime që nuk arriti t’i plotësojë dhe t’i shihte të botuar.

Unë jam shtylla ku duhet të mbahet shtëpia e Dritëroit me vlerat që ka lënë. Janë fëmijët, nipërit dhe mbesat, janë miqtë, që do të më ndihmojnë për të realizuar ëndrrën e kësaj jete, që më ka mbetur, me aq sa kam mundësi, fizike dhe shpirtërore.

Dritëroi, megjithëse ka shkruar në poezi, në prozë, në drama, në publicistikë, për pleqërinë, nuk i pëlqente ta quanin plak. Ai përdorte më shumë fjalët, i moshuar dhe e moshuar, pasi siç thoshte Ai: “plak apo plakë” quhesh kur ke humbur mendjen dhe nuk bën asgjë.

Derisa unë vazhdoj të lëviz, të bëj dhe të kryej punët e mija, derisa kam interes të lexoj, të shkruaj, të jap mendime, të ndjek ngjarjet letraro-artistike, politike dhe shoqërore nëpërmjet kanaleve televizive, domethënë që e jetoj jetën plotësisht. – më përsëriste shpesh.

Këtë parim ndjek edhe unë tani. Sigurisht, lëvizjet dhe hapat që hedh tani, janë më të javashme. Edhe dashurinë dhe dhembshurinë për njerëzit që dua, i shpreh më shumë dhe më shpesh. Dhe në përgjithësi, fal gabimet apo justifikoj të metat, që vë re tek të tjerët. Nuk bëhem hatërlie, siç i themi ne në Shkodër, siç bëhesha kur isha më e re dhe me Dritëroin pranë.

Ju më pyesni si e kaloni ditën pa Dritëroin. Po përpiqem të përshtatem me këtë mënyrë jetese të re, kur më mungon gjëja kryesore: dashuria, dhëmbshuria, fjala, zëri i tij, që më kanë shoqëruar për 53 vjet me radhë. Kjo është gjëja më e vështirë për të gjithë ata që humbasin njeriun më të çmuar, jo vetëm duke u nisur nga numri i viteve të kaluara së bashku, por edhe nga kujtimet dhe deri tek elementet më të vogla, që mbushin jetën tonë nga lindja deri sa mbyllim sytë.

Unë Dritëroin e kam pranë në çdo orë të ditës dhe të natës, pasi ditë-nata më janë bërë njëlloj, nuk vë re dallim mes tyre, edhe nga që rri gjithnjë me dritë të ndezur. Atë e kam para syve, me kokën e bukur dhe të hijshme, të vendosur në mes të jastëkut, trupin e drejtuar në dyshek, sytë e mbyllur si në gjumë. “S’duhej t’ia prish gjumin,” – flas me vete dhe lotët më rrjedhin si nga një burim i vogël.

Lexoj poezitë, aforizmat, letërkëmbimin 1964-65, shkruaj dhe lus Zotin të m’i forcojë gishtërinjtë, që deri sa kam mendjen, të kem dhe forcë fizike për të përballuar këtë realitet të ri. Ai fjeti dhe do të zgjohet kur të shkoj pranë tij dhe të përqafohemi në tokën mëmë që na bashkon.

Në këto muaj e kam pasur trurin gjithnjë të kurdisur, siç thoshte Dritëroi, dhe nuk kam fjetur ditë, natë. Edhe ilaçet e gjumit nuk më bënin efekt, por më jepnin vetëm turbullirë, prandaj nuk i përdora. Më dilte përpara vetëm Dritëroi dhe jeta me të, shfletoja dorëshkrimet, albume fotografish, libra dhe pyesja veten: Ç’do të bënte Dritëroi po ta lija vetëm?

Ai në moshën e tretë kishte vështirësi në ecje, sidomos kur theu këmbën, prandaj u mbyllëm katër vjet në shtëpi. Por Ai e mbushte ditën dhe natën me punë, e çkurdiste trurin, kur donte të flinte duke zbatuar çdo këshillë mjekësore. Bëhej fëmija më i bindur, ndërsa lapsin dhe letrën nuk i ndau kurrë. Për këtë arsye dhe unë këto muaj kam shkruar, pasi shkarkoj ato që ndjej.